Një 47-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane është arrestuar në Kavajë, në kuadër të një tjetër faze të operacionit të koduar “Fast”. F. M. akuzohet në Itali për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafikim të lëndëve narkotike.
Operacioni u finalizua nga specialistët e Sektorit për Kërkimin (FAST Albania) në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë.
Sipas Policisë së Shtetit, 47-vjeçari u lokalizua dhe u kap në Kavajë, më pas u arrestua provizorisht me qëllim ekstradimin e tij në Itali.
NJOFTIMI I POLICISE
Policia e Shtetit/Vijon operacioni ndërkombëtar i koduar “Fast”, finalizohet një tjetër fazë. Kapet në Kavajë, 1 shtetas me rrezikshmëri të lartë, i akuzuar në Itali, si pjesëtar i një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike.
Në vijim të bashkëpunimit shumë të ngushtë me homologët italianë, bazuar në informacionet e shkëmbyera ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, specialistët e Sektorit për Kërkimin (FAST Albania) në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, finalizuan një tjetër fazë të operacionit të koduar “Fast”, gjatë së cilës u lokalizua në Kavajë, u kap dhe u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi me rrezikshmëri të lartë F. M., 47 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Bolonjës, Itali, më datë 25.05.2026, ka lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar për të, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët në Romë, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e shtetasit F. M., në Itali.
