Tre persona janë arrestuar nga Policia në Elbasan pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Policia bën me dije se në pranga ka rënë një 45-vjeçar pasi ishte dënuar me 4 vjet e 8 muaj burg për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Në pranga po ashtu ka rënë edhe një 26-vjeçar i dënuar me 4 vjet e 4 muaj për të njëjtën vepër penale. 

Gjithashtu është arrestuar edhe një 33-vjeçar pasi është dënuar me 6 muaj burg për moskallëzim krimi. 

Tre personat e arrestuar janë shoqëruar për veprime të mëtejshme proceduriale.

Njoftimi i Policisë

“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës Operacionale të DVP Elbasan, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, për vendndodhjen e 3 shtetasve në kërkim, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Catch”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve:

-Xh. Gj., 45 vjeç, banues në Elbasan, pasi Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e ka dënuar me 4 vjet e 8 muaj burgim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim (nga të cilat i kanë mbetur pa kryer 4 vjet e 7 muaj burgim);

-F. B., 26 vjeç, banues në Cërrik, pasi Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e ka dënuar me 4 vjet e 4 muaj burgim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim (nga të cilat i kanë mbetur pa kryer 1 vit e 8 muaj burgim);

-A. Ll., 33 vjeç, banues në Elbasan, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e ka dënuar me 6 muaj burgim, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.