Një 41-vjeçar është arrestuar nga policia e Lezhë, pasi ishte shpallur në kërkim si i përfshirë në një rrjet trafikimi armësh, nga Kosova drejt Shqipërisë.

Mësohet se në pranga ka rënë Ritvan Keqi, i cili ishte shpallur në kërkim pas një operacioni të zhvilluar nga policia rreth 3 muaj më parë. Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar 14 armë zjarri.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, shërbimet e Seksionit të Mbështetjes Operacionale të Hetimit, në DVP Lezhë, si rezultat i një pune të mirorganizuar, kapën dhe vunë në pranga shtetasin: Ritvan Keqi, 41 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Kurbin.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga DVP Tiranë, në kuadër të operacionit të koduar “Puzzle”, i zhvilluar rreth 3 muaj më parë, për goditjen e trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri. Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar 14 armë zjarri.

Veprimet e tjera procedurale për shtetasin R. K. do të kryhen nga DVP Tiranë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.