Një 22-vjeçar i shpallur në kërkim prej tre vitesh është arrestuar sot në Lezhë. Burime zyrtare bënë me dije se i ndaluari është Gabriel Marku dhe kapja e tij është kryer në Shëngjin.
Raportohet se Marku akuzohet për plagosje të rëndë me dashje, vepër e kryer në bashkëpunim me vëllain e tij në Gjadër, në vitin 2023.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit të siguruar në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim për krim kundër personit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Mbështetje Operacionale dhe me shërbimet e Forcës së Posaçme ‘Shqiponja’, kapën në Shëngjin, shtetasin e akuzuar, G. M., 22 vjeç, banues në fshatin Ishull Shëngjin.
22-vjeçari ishte në kërkim pasi Gjykata e Lezhës, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, në mungesë, për veprën penale “plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Nga veprimet hetimore dyshohet se në muajin gusht, 2023, në fshatin Gjadër, i ndaluari ka bashkëpunuar me vëllanë e tij, shtetasin E. M. (të arrestuar në muajin nëntor, 2023), për plagosjen e rëndë, me armë zjarri, të shtetasit D. Gj.
