Një bos i njohur i mafias italiane është arrestuar nga karabinierët pas pesë vitesh në arrati.

I ndaluari është Leonardo Gesualdo, 39 vjeç, nga Foggia, një figurë e rëndësishme e organizatës mafioze “Società Foggiana”.

Arrestimi ndodhi në orët e para të mëngjesit të së martës, gjatë një operacioni të Njësisë Speciale të Karabinierëve (GIS), të cilët hynë me forcë në një banesë në periferi të Foggias. Gesualdo u gjet në gjumë dhe nuk bëri rezistencë në momentin e ndalimit. Gjatë kontrollit në banesë, policia gjeti një pistoletë me gjashtë fishekë në karikator.

Mafiozi ishte në kërkim që prej vitit 2020, kur arriti të arratisej gjatë një operacioni të madh policor ku u lëshuan 44 urdhër-arreste për anëtarë të “Società Foggiana”, të akuzuar kryesisht për zhvatje dhe veprimtari kriminale të strukturuar.

Gesualdo ishte dënuar me 12 vite burg, ndërsa për pesë vite kishte qenë në listën e personave më të kërkuar dhe më të rrezikshëm në Itali. Arrestimi i tij konsiderohet një goditje e rëndësishme ndaj mafias foggiane, një nga organizatat më të dhunshme dhe më pak të ekspozuara publikisht në Italinë e jugut.