Plani urbanistik: 


USAID, 9 milionë dollarë për qeverisjen vendore. Basha kërkon ndarje të re administrative


Lorina Mixha 


Tirana policentrike, edhe me 7 qendra të tjera zhvillimi është bërthama e planit të ri urbanistik të Tiranës.


Dje, në aktivitetin e zhvilluar nga USAID kur u prezantua edhe projekti 5-vjeçar me financim 9 milionë dollarë për qeverisjen vendore, kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, ka kërkuar një ndarje të re administrative në dobi të zbatimit të planit të ri urbanistik të kryeqytetit për të cilën ekspertët kanë punuar për rreth 10 muaj. Sipas këtij plani, krahas qendrës së Tiranës, do të zhvillohen edhe 7 të tjera, të cilat, sipas specifikave do të kenë institucione administrative, kulturore, argëtuese, sportive, por edhe biznesi. Ky plan parashikon tre parqe periferike, një rrjet rrugor që lidh qytetin me komunat, 5 unaza të reja dhe rrugë kryesore krahas asaj të Kavajës dhe Durrësit, shihet ajo e Elbasanit, e Arbrit, dhe ajo e Veriut, ndërsa ka disa versione për vendosjen e unazës. Në komuna, krahas aktiviteteve industriale, parashikohet një kompleks sportiv, kurse në Kinostudio, institucione mikse, hapësira të gjelbra dhe ndërtime të kontrolluara. Ekspertët kanë hartuar planin duke marrë në konsideratë se si do të jetë Tirana deri në 2027, e ndarë në 600 blloqe banime, është bërë një llogaritje e hapësirës që duhet për ndërtim dhe asaj për argëtim dhe gjelbërim.


Tirana parashikohet të ketë 5 unaza dhe tri parqe të tjera si Paskuqan, Sauk dhe Farkë, përveç Parkut të Liqenit dhe Parkut të Dajtit. Plani i ri urbanistik projekton një Tiranë policentrike ku poli i saj juglindor që i përket Qytetit Studenti, përveç arsimit të pasurohet edhe me funksione të tjera. Poli që përfshin Liqenin Artificial sugjerohet të mbetet thjesht rekreativ me shërbime të tjera për argëtim.


Në zonën e ish-fushës së aviacionit plani parashikon shtimin e bizneseve, ndërkohë që në Kombinat parashikohet Tirana Olimpike, me funksione sportive.


Sipas kreut të bashkisë, me këtë plan rivendoset hierarkia e strukturës urbane që nis nga blloku, ku parashikohen 600 të tilla, kompleksi avancon me lagjet dhe përmbyllet me njësitë administrative. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar rrjetit rrugor dhe transportit. Tirana do të ketë një rrjet prej 5 unazash. Unaza 2 është ajo që dikur quhej Unaza e Mesme, që gjithashtu do të funksionojë me sens unik lëvizjeje, por në drejtimin e kundërt të lëvizjes me Unazën 1.


Gjatë prezantimit të planit urbanistik banorë të zonës së Shkozës kanë protestuar për mungesën e ujit të pijshëm. Ata ankohen se kanë mbi katër muaj që nuk furnizohen me ujë, ndërkohë që e paguajnë rregullisht atë. “Kam detyrë t’i bëj thirrje, bashkë me ju sot, kryetarit të bashkisë të vijë të zgjidhë këtë problem, të dalë nga sallat dhe maketet, të vijë t’u kthehet qytetarëve, t’u kthejë shërbimet qytetarëve që paguajnë taksat”, deklaroi kreu i këshilltarëve socialist, Aldrin Dalipi.