Tensionet janë zhvendosur jashtë sallës së Kuvendit, ndërsa deputetët kanë nisur seancën plenare ku në axhendë është edhe reforma administrativo-territoriale.
Përpara godinës së Parlamentit, protesta është përshkallëzuar në përplasje mes tubuesve dhe efektivëve të policisë të vendosur për sigurimin e perimetrit.
Protestuesit kanë ushtruar presion ndaj kordonit të uniformave blu, duke shtyrë efektivët dhe barrierat metalike që ndajnë turmën nga hyrja e Kuvendit.
Në disa momente situata është tensionuar ndjeshëm, me përplasje fizike mes palëve dhe tentativa të protestuesve për të çarë rrethimin e vendosur nga policia.
Forcat e rendit kanë ndërhyrë për të larguar turmën nga perimetri i sigurisë, ndërsa është përdorur edhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve dhe rivendosjen e kontrollit përpara Parlamentit.
E gjithë situata po zhvillohet paralelisht me punimet brenda sallës së Kuvendit, ku një prej çështjeve që pritet të diskutohet dhe të hidhet në votim është reforma e re administrativo-territoriale.
Kundërshtimi ndaj kësaj reforme është edhe një prej çështjeve kryesore që ka nxjerrë protestuesit përpara Parlamentit, ndërsa jashtë godinës vijon prania e shtuar e forcave të policisë.
