Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në një takim në qytetin e Korçës në kuadër të përvjetorit të Partisë Socialiste, nga ku ka bërë një krahasim mes dy momenteve që mbajnë të njëjtën datë, por që sipas tij përfaqësojnë dy momente krejtësisht të ndryshme për vendin.
Rama u ndal te koincidenca e datës 26 maj, duke kujtuar fillimisht vitin 1996, kohë kur socialistët në opozitë u përballën me dhunën e pushtetit të atëhershëm të Partisë Demokratike, dhe duke e krahasuar atë me 26 majin e sukseseve të fundit në rrugën e integrimit europian.
“Kënaqësi të jem këtu mes jush në këtë park gjithnjë e me më shumë skulptura dhe pastërti. Jemi mbledhur për të kremtuar një moment që lidh bashkë historinë me ardhmërinë dhe nuk mund të mos e përsëris se një koicidencë e madhe e bashkoi me një datë dy momente kyçe të socialistëve. 26 maj të 1996 socialistët u përballën me furinë e një dhunë dhe një brutalitet që ngjalli një sfidë demokracie, që u shfaq shumë më e madhe se në kohën kur u përmbys demokracia.
Ata që ishin në vijën e parë si përfaqësues, drejtues apo komisionerë, u dhunuan, ashtu siç u dhunua edhe rezultati i zgjedhjeve nga pushteti i degraduar i PD. Ai moment është i papërfytyrueshëm për të rinjtë që janë këtu dhe ata që nuk e kanë jetuar atë moment demokratik. Është e paimagjinueshme për disa këtu, kur opozita dhunohej sistematikisht. Ishte vetëm ekrani i TV shtetëror dhe në asnjë rast opozita nuk shfaqej. Edhe kur bëhej, shoqërohej nga komenti negativ i spikerit. Ishte vetëm një gazetë opozitare, edhe ajo u bë shkrumb e hi. Nuk mund të ndodhte që të ishe në opozitë dhe të mos keqtrajtoheshe duke u denigruar dita-ditës. Selia e PS u fut në një cep. Edhe qielli nisi të përlotet dhe të vajtojë kur kujtojmë sesi ishte ajo kohë”, tha Rama mes të tjerash.
