Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, në një intervistë për RTL Today, ka deklaruar se besueshmëria e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian varet jo vetëm nga reformat e vendeve kandidate, por edhe nga gatishmëria e BE-së për të respektuar angazhimet e saj.

Hoxha tha se Shqipëria ka avancuar me ritme të shpejta në negociatat e anëtarësimit, pasi ka hapur të gjashtë grup-kapitujt brenda 13 muajve dhe ka kaluar vlerësimin e ndërmjetëm për grup-kapitullin “Themeloret”, teksa u shpreh se Shqipëria ka ende një rrugë të gjatë përpara në fusha si lufta kundër korrupsionit, funksionimi i drejtësisë, liria e medias dhe mbrojtja e mjedisit.

“Duke pritur, ne nuk u mjaftuam duke parë yjet. Ne punuam. Vumë ekipet tona në punë. U përgatitëm”, tha Hoxha, duke theksuar se progresi i vendit është rezultat i punës së vazhdueshme. Negociatat kanë të bëjnë me hendekun, ku jemi sot, ku duhet të arrijmë dhe si do ta mbyllim atë”, u shpreh ai.

Hoxha u shpreh se procesi duhet të mbetet i bazuar në meritë, por theksoi se ky parim duhet të vlejë për të dyja palët.

“Procesi i bazuar në meritë duhet të funksionojë në të dyja drejtimet. Ne marrim angazhime dhe bëjmë reformat, por Bashkimi Evropian duhet të mbajë edhe ai pjesën e vet të marrëveshjes. Mos humbni asnjë çast, asnjë minutë, asnjë orë. Punoni, punoni, punoni”, tha ai.

Hoxha u shpreh gjithashtu në favor të integrimit gradual të vendeve kandidate në strukturat evropiane edhe përpara anëtarësimit të plotë. Ai theksoi se Shqipëria është tashmë plotësisht e harmonizuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian.

“Gjithçka që diskutojnë ata bëhet edhe e jona. Atëherë pse të mos jemi të pranishëm si vëzhgues? Nuk mund të votojmë, por mund të shkëmbejmë mendime, të mësojmë dhe të përgatitemi”, tha ai.

Duke folur për orientimin strategjik të Shqipërisë, Hoxha theksoi se zgjedhja evropiane nuk është e pjesshme.

“Kur bën një zgjedhje, siç kemi bërë ne për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, nuk është si një meny. Ne marrim të gjithë paketën. Për ne është vijë jetike. Është vendimtare. Është i vetmi projekt. Ky është e ardhmja jonë”, u shpreh Hoxha, duke e cilësuar integrimin evropian si projektin më të rëndësishëm për vendin.