Zbardhet raporti i IZHA-s për rezultatet e testimit. Më të dobëtit janë arsimtarët e parashkollorit


Shpresa Mezini



Zbardhet raporti i rezultateve të testimit të aftësive për mësuesit e Tiranës. Duke iu referuar raportit paraprak mbi rezultatet e instrumentit të identifikimit të nevojave, të realizuar nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit, rezulton se: 50% e mësuesve kanë nevoja të konsiderueshme për trajnime në të gjitha fushat: planifikimi; mësimdhënia; klima dhe menaxhimi i klasës; komunikimi; zhvillimi profesional dhe përvoja e pakët në mësim. “Planifikimi është një nga fushat ku mësuesit paraqiten me rezultatet më të dobëta, çka tregon se ata duhet të përmirësojnë në mënyrë të ndjeshme cilësinë në drejtim të planifikimit sipas nevojave dhe interesave të nxënësve, planifikimit me rezultate të nxëni dhe sigurimit të koherencës në planifikim, planifikimit të mësimdhënies bazuar në situata të nxëni dhe situata nga jeta reale.


Rezultatet e dobëta sipas fushave


Mësimdhënia është një fushë, ku mësuesit paraqiten me rezultate të dobëta, që tregon se mësuesit duhet të përmirësojnë në mënyrë të ndjeshme cilësinë e mësimdhënies në drejtim të metodologjisë bazuar në kompetenca ‘Mëso duke bërë’, të teknikave të të pyeturit dhe diskutimeve. Ata kanë nevojë për përmirësim në teknikat e vlerësimit të nxënësit duke e ndihmuar atë të bëjë progres”, thuhet në raportin mbi rezultatet e testimit të mësuesve të kryeqytetit, të IZHA-s. Sipas tij, klima dhe menaxhimi i klasës janë dy çështje ku nevojitet ofrimi i trajnimeve për arsimtarët, pasi ndihet nevoja për përmirësime të konsiderueshme, lidhur me informacionin që duhet të zotërojë mësuesi. Ndërsa sa i takon fushës së komunikimit dhe zhvillimit profesional, vlerësimi është disi më i mirë krahasuar me fushat e tjera, përsëri rezultatet janë akoma larg pikëve maksimale dhe vlerave që duhet të demonstrojë mësuesi në shkollë në komunikim me nxënësit, kolegët, prindërit dhe komunitetin. “Mësuesit duhet të jenë më aktivë në zhvillimin e tyre profesional sidomos në rrjetet profesionale të mësuesve, si dhe në zhvillimin profesional brenda shkollës; mësuesit e rinj me pak vite punë në arsim duhet të mbështeten nga mësuesit me eksperiencë brenda shkollës, por edhe në rrjetet profesionale. Është detyrë e drejtorit të shkollës të organizojë zhvillimin profesional të mësuesve të rinj. Rreth 40% e mësuesve të rinj kanë nevoja të konsiderueshme për trajnime në të gjitha fushat”, sqarohet në raportin e Institutit të Zhvillimit të Arsimit.


Devijimi standard për pikët e secilës fushë


“Koeficientet e devijimit standard nuk kanë shumë dallime nga fusha në fushë dhe nuk paraqesin devijime të theksuara nga pikët mesatare, por koeficienti më i lartë i devijimit standard është në fushën e planifikimit dhe mësimdhënies që nënkupton se pikët mesatare nuk janë shumë afër mesatares. Në këto dy fusha ndryshesa e pikëve mesatare nga pikët maksimale është më e lartë gjë që tregon se niveli mësuesve është më i dobët”, thuhet në raportin e rezultateve të testimit të mësuesve të Tiranës. Ndërkohë, sipas tij, në dy fushat e tjera pikët mesatare kanë një ndryshesë më të vogël nga pikët maksimale që tregon se rezultatet në përgjithësi janë më të mira.


Rezultatet e fushave sipas niveleve


Nga diagrama nr. 3 vihet re se mësuesit që janë në nivelin IV (Shumë të kënaqshme), kanë rezultate më të mira në fushën e mësimdhënies dhe komunikimit; Mësuesit që janë në nivelin III, kanë rezultate më të mira në fushën e komunikimit dhe etikës, si dhe të zhvillimit profesional; Mësuesit e nivelit të II kanë rezultate më të mira në fushën e planifikimit dhe mësimdhënies. “Duke analizuar përqindjet e mësuesve sipas fushave rezulton se: Në fushën e planifikimit, të paktën 52% e mësuesve kanë nevoja të konsiderueshme për trajnim, dhe 41% kanë nevojë për përmirësim; Në fushën e mësimdhënies, të paktën 49% e mësuesve kanë nevoja të konsiderueshme për trajnim, 40% kanë nevojë për përmirësim; në fushën e komunikimit, të paktën 34% e mësuesve kanë nevoja të konsiderueshme për trajnim dhe 54% kanë nevojë për përmirësim; në fushën e zhvillimit profesional, të paktën 40% e mësuesve kanë nevoja të konsiderueshme për trajnim dhe 53% kanë nevojë për përmirësim”, theksohet në raport.


Rezultatet sipas kategorive


Diagrami nr. 4 tregon rezultatet e mësuesve sipas kategorisë (vjetërsisë në punë). Në proces morën pjesë mësues të kategorisë II (10 vjet punë), kategorisë III (5 vjet) dhe mësues që akoma nuk kanë marrë asnjë kategori. Rezultatet në diagram tregojnë se mësuesit e kategorisë II dhe mësuesit e kategorisë III kanë rezultate afërsisht të njëjta. Ndërkohë, mësuesit që nuk kanë marrë akoma ndonjë kategori kanë në përgjithësi rezultate më të dobëta se mësuesit e tjerë


Rezultatet sipas cikleve


Në diagramin nr. 5 rezulton se mësuesit e nivelit shkëlqyeshëm janë më shumë në arsimin e mesëm të lartë, pasuar nga mësues të arsimit të mesëm të ulët. Ndërkohë që në të gjitha ciklet pjesa më e madhe e mësuesve është në nivelin III. Me rezultate më të dobëta paraqiten mësuesit e arsimit parashkollor. Duke iu referuar diagramit që tregon për raportin femra-meshkuj rezulton se 75% e mësueseve femra kanë rezultate në nivelin III dhe IV, ndërkohë që 45% e mësuesve meshkuj kanë nevojë për përmirësime të konsiderueshme. Sa u takon rezultateve të instrumentit sipas mësuesve lëndorë thuhet se në nivelin e tretë dhe të katërt rezulton të jenë mësuesit e arsimit fillor, mësuesit e gjuhës shqipe, të gjuhës angleze dhe të matematikës. Ndërkohë që me nevoja të konsiderueshme për trajnim rezultojnë mësuesit e edukimit fizik, arsimi parashkollor. “Vitet e punës në arsim dhe pikët totale të instrumentit parimisht duhet të kenë një lidhje të qëndrueshme, por bazuar në vlerat e koeficienteve të korelacionit vërehet se lidhja është e dobët. Pra, ka mësues me disa vite pune në arsim që kanë rezultate të dobëta, ndërkohë që ka mësues me më pak vite në arsim që kanë rezultate më të larta”, shpjegohet në raport.


Qëllimi i testimit të aftësive


Njohuritë, aftësitë që zotëron mësuesi, angazhimi e përkushtimi i tyre, si dhe cilësia e drejtimit të shkollës janë faktorët më të rëndësishëm në arritjen e rezultateve të larta të nxënësve në sistemin arsimor parauniversitar. Planifikimi dhe mësimdhënia cilësore, si dhe aftësitë e mësuesve për të motivuar dhe frymëzuar të gjithë nxënësit që të arrijnë më të mirën e tyre, ka ndikim pozitiv dhe të qëndrueshëm në të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve. Për këtë arsye, është thelbësore që, mësuesit jo vetëm të kenë arsimimin e përshtatshëm dhe përgatitje të lartë profesionale gjatë formimit fillestar të tyre, por për të përmbushur sa më mirë detyrat, duhet të sigurojnë standard të lartë të zhvillimit të vazhduar profesional në të gjitha nivelet.