Një 24-vjeçar shqiptar, Klejvis Metalla, është arrestuar në Serbi pas një operacioni të përbashkët ndërkombëtar policor.
Ai ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare për ushtrim dhune të rëndë ndaj bashkëjetueses së tij shtatzënë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në janar të vitit 2025 në Shqipëri, ku sipas hetimeve, Metalla ka ndaluar automjetin në një zonë jashtë qytetit dhe ka goditur me shkelma në bark dhe trup gruan 23-vjeçare, e cila ndodhej në muajin e pestë të shtatzënisë.
Më pas, ai i ka marrë telefonin dhe është larguar nga vendngjarja. Në momentin e incidentit, e reja shoqërohej edhe nga vëllai i saj 5-vjeçar.
Për këtë ngjarje, Gjykata e Dibrës kishte caktuar ndaj Metallës masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale “plagosja e rëndë me dashje”.
Pas arrestimit në Serbi, ka nisur bashkëpunimi mes Interpol Tiranës dhe Interpol Beogradit për procedurat e ekstradimit të tij drejt Shqipërisë, ku do të përballet me drejtësinë.
