Kreu i PD-së, Sali Berisha ka deklaruar se është i gatshëm për të diskutuar Reformën Zgjedhore me Partinë Socialiste, ama jo me qeverinë.

Në një konferencë për mediat, Berisha tha se nuk e njeh qeverinë e dalë nga zgjedhjet e 11 majit, duke shtuar se do të ulet në një tryezë me Edi Ramën, por jo si Kryeministër i vendit por si kryetar partie. Kryedemokrati deklaroi se nuk mund ta përcaktojë kush është kryetari i socialistëve, për këtë arsye nga ka asnjë arsye që të mos negociojë me ta.

“Reforma zgjedhore bëhet nga partitë politike. Unë nuk them se PS nuk është një parti e spektrit politik në Shqipëri. Reformën zgjedhore e bëjnë partitë politike, nuk e bën qeveria. Ai po, bëri gjithçka, e anuloi reformën që u arrit, vuri dorën e tij të zezë dhe arriti ato që deshi. Por reforma zgjedhore është gjithnjë atribut i partive politike.

PS është faktor politik i pluralizmit politik në Shqipëri, nuk u përcaktojmë ne kë do zgjedhë kryetar ajo apo kush është kryetari i saj, kështu që me PS ne nuk mund të themi se nuk do ulemi për reformën elektorale. Ka rekomandime dhe ne ato do i shqyrtojmë. Por jo me qeverinë, me qeverinë nuk kemi asnjë punë. Qeveria nuk ka legjitimitet në këto zgjedhje, ka humbur legjitimitetin”, tha Berisha.