Kryeprokurori i posaçëm, Altin Dumani, është shprehur kundër Kodit të Ri Penal, duke mbajtur të njëjtin qëndrim si Prokuroria e Përgjithshme.

Gjatë një takimi me dyer të mbyllura me gazetarët, Dumani u shpreh se nuk ka nevojë për një Kod të ri Penal, por aktuali ka nevojë për disa përmirësime. Po ashtu, kreu i SPAK deklaroi se institucioni që ai drejton nuk është përfshirë në diskutimin dhe në formulimin e këtij Kodi të ri, njësoj siç pretendohet dhe nga Prokuroria e Përgjithshme.

Unë mendoj që debati që duhet të ishte bërë a është i nevojshëm për miratim një kod i ri, apo ka nevojë për përmirësime te kodi aktual. Mendoj qe duhen disa ndryshime te kodi aktual, për shembull për disa vepra ku parashikohen dënime të rënda. Nuk mund të jetë i njëjti dënim si për atë që kapet me kokaine, me hashash apo drogra sintetike. Për mendimin tim, për ata që kapen me drogra sintetike, dënimi duhet të ishte më i rëndë. Kjo më vjen ndër mend si shembull. Ka një draft, ne nuk jemi përfshirë. Në momentin që do të na sjellin një draft, do kemi një qëndrim. Kam ndjekur qëndrimin e prokurorit të përgjithshëm. Ne nuk jemi përfshirë në grup pune, nuk mund të themi nëse na kanë lënë jashtë. Ne nuk jemi përfshirë”, tha ai.