Arlind Qori ka filluar fushatën elektorale, duke zhvilluar takim me shqiptarët e diasporës.

Ai u ndal në Athinë, ku gjatë rrugës pësoi dhe disa incidente, pasi makina me të cilën udhëtonte iu prish në mes të rrugës. Ai ka treguar se u detyrua të shkonte në Athinë me autobus.

Pas përfundimit të takimit, Qori ka ndarë një tjetër video, ku shprehet se po kthehet drejt Tiranës, sërish mes vështirësive. Ai shtonës fushata është bërë e pabarabartë, pasi kundërshtarët kanë financa më të mëdha. Megjithatë, ai shton se partia e tij “Lëvizja Bashkë” ka epërsinë morale.

“Jemi në dalje të Patrës në Greqi, rrugës në kthim drejt Tiranës. Sigurisht mes vështirësive por të përballueshme. Besoj arrijmë në Tiranë në mëngjes, në orën 5, 6, pas takimit të suksesshëm me bashkatdhetarët në Athinë. Për ne politika dhe jeta janë gjëra të pandashme. Ne jetojmë politikisht, por dhe politikën e bëjmë siç kemi jetën e përditshme.

Është krejt normale që fushata të jetë e pabarabartë. Ne në krahasim me kundërshtarët, kemi epërsinë morale, ata kanë epërsinë materiale, paratë, pushtetin. Ajo që unë besoj fort dhe shpresoj që epërsia jonë morale ka për të dalë më e rëndësishme se epërsia e tyre materiale.

Ne nuk kemi para, ne nuk kemi pushtet, ne nuk premtojmë gjëra të paqëna, ne nuk u premtojmë njerëzve apo ku di unë, mbështetësve tanë tendera dhe koncesione, por vetëm drejtësi. Drejtësi dhe një politikë kurajoze e të ndershme, që do të përmirësojë jetën e të gjithëve pa bërë asnjë lloj dallimi.”– u shpreh
Qori.