Kryetarja e Bashkisë Vlorë, Brunilda Mersini ka folur sot në “Shqipëria Live” në lidhje me situatën problematike të krijuar tashmë prej 5 ditësh, me furnizimin me ujë të pijshëm.
Mersini u shpreh se zgjodhi që situata të zgjidhej para se të fliste në media. Sipas saj, uji do rikthehet në orën 5 pasdite, për 24 orë në të gjithë qytetin e Vlorës. Ajo shtoi se pavarësisht reflektimit dhe zgjidhjes, duhet reflektuar pasi rrjeti i furnizimit me ujë është i amortizuar.
“Administrimi i Ujësjellësit bëhet nga Ministria e Infrastrukturës dhe nga departamenti i menaxhimit të Ujësjellësit të Vlorës. Unë zgjodha të rregullohej situata njëherë dje më pas të flisja për të bërë bilancin dhe reflektimin pas ngjarjes. Sa i përket mbrëmjes gala, ajo nuk ishte mbrëmje, ishte një program i aktiviteteve të bashkisë dhe drejtori i Teatrit vendosi të mos ndalonte aktiviteti. Protesta është një e drejtë njerëzore dhe unë protestoj kur shoh padrejtësi. Është normale të protestosh për mungesën e ujit. Ujësjellësi nuk është në administrimin tim, por unë gjithsesi kam qenë në teren për të vëzhguar situatën.
I takonte vendimmarrja stafit të menaxhimit, të cilën zgjodhët të zhvillonin zgjidhje provizore deri sa të realizohej përfundimisht problemi. Kam komunikuar gjatë gjithë kohës me kryeministrin Edi Rama. Ai është kujdesur që të vinte materiali i nevojshëm, që nuk prodhohej prej 2009 dhe ishte shumë e vështirë për t’u gjetur. Kjo e vështirësoi ndërmarrjen e ujësjellësit. Prej vitesh është amortizuar sistemi i ujësjellësit dhe do implementohet së shpejti një projekt i ri. Ende kemi një rrjet të amortizuar dhe kemi patur probleme dhe më herët në sezonin veror. Pavarësisht se reaguam, duhet bërë një reflektim. Ujë momentalisht është kthyer në disa zona, por në orën 5 do të rikthehet në të gjitha lagjet e qytetit 24 orë.”– tha ajo.


