Ervin Kaftiraj është arrestuar nga antidroga e Tiranës, pasi u kap me lëndë narkotike. 45-vjeçari është kapur në flagrancë në një parkim në afërsi të Rrethrrotullimit të Tegut. Gjatë operacionit dhe në vijim të kontrolleve në banesën e tij, u gjetën dhe sekuestruan 1 kg e 39.4 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 1 motomjet, 1 aparat celular, 1 armë gjahu dhe 1 armë sportive.
Mësohet se sektori i Antidrogës kishte disa muaj që e mbante në përgjim dhe ishte vënë në ndjekje të Ervin Kaftiraj. Ky i fundit sipas burimeve, ka biznes të makinave me qira, kryesisht automjete luksoze, si dhe mjete retro.
Njoftimi:
Tiranë/Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, operacioni policor i koduar “Cargo 1”.
U kap në flagrancë në një parkim me 1 pako me lëndë narkotike kokainë, vihet në pranga 45-vjeçari.
Sekuestrohen 1 kg e 39.4 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 1 motomjet, 1 aparat celular, 1 armë gjahu dhe 1 armë sportive.
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, në kuadër të një procedimi penal ndjekur me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Cargo 1”.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. K., 45 vjeç, banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në një parkim, në afërsi të Rrethrrotullimit të Tegut, shtetasin E. K., të cilit iu gjet një sasi lënde narkotike kokainë, që dyshohet se e posedonte me qëllim shitjen në sasi, në zona të ndryshme të Tiranës.
Më tej, gjatë kontrollit të banesës, iu gjet 1 armë gjahu dhe 1 armë sportive.
Lënda narkotike, së bashku me 1 motomjet, 1 aparat celular, 1 armë gjahu dhe 1 armë sportive, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
