Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të përcjellë një tjetër mesazh për protestuesit, vetëm pak orë përpara tubimit kombëtar të paralajmëruar për këtë të shtunë në Tiranë.

Përmes një videoje të publikuar në Facebook, kreu i qeverisë ka treguar një instalacion të vendosur përpara godinës së Kryeministrisë, ku mbi një tavolinë janë vendosur fletë me mbishkrimin “dialog”.

Postimin e ka shoqëruar vetëm me fjalën “Mirëmëngjes”, duke përsëritur në mënyrë simbolike ftesën e tij për bisedime me qytetarët që prej ditësh protestojnë kundër qeverisë.

Ky nuk është gjesti i parë i Ramës në këtë drejtim. Gjatë ditëve të fundit, përpara selisë së qeverisë janë vendosur karrige dhe stola prej guri, si një ftesë për t’u ulur në tryezën e diskutimeve. Megjithatë, protestuesit nuk i kanë pranuar këto iniciativa.

Situata në kryeqytet mbetet e tensionuar, ndërsa demonstratat e ditëve të fundit janë shoqëruar me përplasje dhe incidente.

Studentë, pedagogë dhe përfaqësues të bizneseve pritet të marrin pjesë në protestën e sotme, duke vijuar presionin ndaj qeverisë.

Një prej kërkesave kryesore të protestuesve është largimi i Edi Ramës nga posti i kryeministrit, kërkesë të cilën ai e ka refuzuar publikisht.

Pavarësisht qëndrimeve të kundërta, Rama vazhdon të këmbëngulë se është i gatshëm të dëgjojë shqetësimet e protestuesve dhe të zhvillojë dialog, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ftesa e tij do të marrë një përgjigje ndryshe gjatë protestës së sotme.