Më 23 maj, Partia Demokratike do të zhvillojë zgjedhjet për kryetar, një vit pas humbjes në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

Por për deputetin demokrat dhe ish-drejtuesin e kësaj force politike, Tritan Shehu, zgjedhjet e muajit maj do të jenë një rikonfirmim për Sali Berishën.

Përmes një statusi në faqen e tij në “Facebook”, Shehu shprehet i bindur se vetëm me PD-në e Berishës, Shqipëria mund të ribëhet.

“Kryetari i PD rizgjidhet më 23 Maj! Një rikonfirmim ky në prag të ndryshimeve thelbësore që e presin Shqipërinë e shqiptarët. Në prag të rivendosjes së demokracisë, vlerave njerëzore e shoqërore. Rolit lider rajonal të Shqipërisë. Fundit të regjimit e realizimit të aspiratës sonë europiane. Me PD e Berishën Shqipëria do të ribëhet”, shkruan Shehu.