Një punonjës i Policisë së Dibrës është arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pasi dyshohet se nuk ka kryer veprimet hetimore dhe procedurale pas largimit të një personi që ndodhej në masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe ishte në proces ekstradimi drejt Gjermanisë.
Në pranga ka rënë M.G., 32 vjeç, specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Dibër, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Sipas njoftimit zyrtar të AMP-së, arrestimi është kryer në prani të prokurorit të gatshëm. Nga hetimet ka rezultuar se efektivi dyshohet se nuk ka ndërmarrë veprimet hetimore dhe procedurale të nevojshme lidhur me largimin e shtetasit Amir Muaremi, mga banesa ku ishte në masën e sigurisë “arrest në shtëpi” ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
