COELA do të mblidhet të martën në orën 10:00 për të diskutuar Raportin e IBAR për Shqipërinë. Këshilli i BE ka deklaruar për A2CNN se shtetet anëtare janë pranë një dakordësie, edhe pse janë ende disa shtete që nuk e kanë dhënë dritën jeshile për draftin e Pozicionit të Përbashkët të BE-së, ashtu siç është propozuar nga Presidenca e Unionit.
“Teksti i fundit duket i stabilizuar, por është plotësisht në dorën e presidencës të vendosë nëse nevojiten ndryshime shtesë për të kënaqur të gjitha shtetet anëtare dhe për të arritur unanimitetin pas mbledhjes së nesërme”, tha Këshilli i BE-së.
Më tej, Këshilli i BE-së ka theksuar, se nëse arrihet një marrëveshje në takimin e nesërme të COELA, plani është që dosja t’i kalojë COREPER të premten dhe pas miratimit të draftit të Presidencës së BE, të nisë planifikimi i Konferencës Ndërqeveritare në ditët në vijim.
