“Fiks Fare” ndërmori një vëzhgim në disa tregje të kryeqytetit ku tregtohej qumësht lope, pa sigurinë minimale
Ngarkesa mikrobike e qumështit që tregtohet sot në rrugët e kryeqytetit është qindra herë më e lartë sesa norma e vendeve të BE-së. Qumështi që shitet në rrugë dhe që nuk kalon procesin e pasterizimit është një rrezik serioz për shëndetin. Ky qumësht ka ndotje të lartë mikrobike, qindra herë më të lartë sesa norma. Sot, në rrugët e kryeqytetit gjen të shitet lirshëm qumësht lope, të cilin tregtarët e hedhin në bidonë plastikë të përdorur. Askush nuk e ndalon apo kontrollon qumështin që shesin këta tregtarë ambulantë. Askush nuk e di rrezikun që kanos çdo ditë banorët e kryeqytetit nga bidonët e qumështit që shesin fshatarët. Sot të gjithë jemi të prirur që të drejtohemi drejt prodhimeve apo produkteve bio, duke anashkaluar sigurinë ushqimore. Në kohën e temperaturave të larta, “Fiks Fare” ndërmori një vëzhgim në disa tregje të kryeqytetit ku tregtohej qumësht lope, pa sigurinë minimale të pajisjeve ftohëse e ngrirëse, pa përmbushur kushtet higjieno-sanitare. “Fiks Fare” bleu disa shishe me qumësht në pesë tregje të ndryshme ambulante dhe iu drejtua ISUV-it (Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë), ku u bënë analizat për këto pesë kampione të qumështit të papërpunuar, paketuar në shishe plastike të përdorura. Analizat treguan se ngarkesa mikrobike në këto kampione ishte shumë e lartë. Nga pesë mostrat e analizuara vetëm njëra doli me ngarkesë mikrobike brenda normave, të tjerat ishin me shifra shumë herë larg normës. Mes bidonëve që “Fiks Fare” analizoi në ISUV, u gjetën mostra që kishin ngarkesë mikrobike shumë të lartë. Një prej tyre ngarkesën mikrobike e kishte 45 milionë për mililitër. Ngarkesa mikrobike e mostrave të tjera varijonte 8.5 milionë, 1.6 milionë, 210 mijë dhe 65 mijë ngarkesë mikrobike/ml. Ndërkohë që norma e ngarkesës mikrobike në vendet e BE-së në lidhje me qumështin e papërpunuar është 100 mijë për mililitër. Altin Telo, mjek veteriner, shprehet se këto vlera të ngarkesës mikrobike në qumësht nuk janë normale. Ai tregon se të gjitha produktet me origjinë shtazore duhet të tregtohen në kushte frigoriferike. “Qumështi del nga organizmi i kafshës në temperaturën 37 gradë, që është temperatura ideale për shumimin e baktereve. Nuk ka rëndësi në është verë apo dimër se këto baktere shtohen në mënyrë progresive, pas kalimit të dy orëve”, shton mjeku veteriner. Ndërsa mjekja infeksioniste, Entela Kolovani, tregon se tendenca e njerëzve për të konsumuar ushqime bio dhe për ta marrë të papërpunuar qumështin dhe produktet e tjera nuk është ajo e duhura. Në këtë mënyrë mund të marrim shumë sëmundje, që nga salmonela, bruceloza, tuberkulozi … “Asnjë nuk mund të thotë se me anë të zierjes ose vlimit janë zhdukur të gjitha mikrobet dhe është po njësoj sikur të kemi marrë qumështin e kontaminuar dhe nga nënproduktet nëse ai nuk është i pastër”, shpjegon mjekja infeksioniste.