Prokurorja Doloreza Musabelliu, një nga kandidatët për drejtimin e SPAK, prej vitesh jeton nën masa të rrepta sigurie, pasi është përfshirë në listën e shënjestrave të grupit kriminal të drejtuar nga Laert Haxhiu. Menjëherë pas zbulimit të kërcënimit, autoritetet e morën në mbrojtje, çka solli ndryshime të thella në jetën e saj të përditshme dhe të familjes.
Gjatë seancës së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, një nga anëtarët e pyeti se si e ka prekur puna e saj jeta jashtë zyrës. Musabelliu tregoi se që nga viti 2004, kur u bashkua me Prokurorinë për Krime të Rënda, është mësuar të jetojë me kufizime të vazhdueshme. Ajo theksoi se puna me grupe kriminale të rrezikshme e vendos çdo ditë në rrezik, duke e bërë të qartë se një jetë normale nuk ka qenë kurrë një opsion për të.
Sipas saj, ndonëse ishte e përgatitur për pasojat që sjell kjo punë, goditjen më të rëndë e kanë ndjerë familjarët. Ata janë përballur me stresin, frikën dhe kufizimet e një realiteti të imponuar nga detyra e saj.
Megjithatë, pavarësisht presioneve dhe rreziqeve, Musabelliu është shprehur se ka vijuar punën me përkushtim, duke zbatuar ligjin dhe duke qenë e vetëdijshme për çdo rrezik që mbart profesioni i saj.
“Që nga dita kur fillova tek Krimet e Rënda, në vitin 2004, kam jetuar një jetë të kufizuar — të vetëkufizuar, në fakt. Është e natyrshme: kur merresh me elementë të rrezikshëm, rrezikon të bëhesh objekt sulmi. Secili prokuror e di që duke hyrë në atë institucion nuk mund të vazhdojë më jetën e mëparshme. Unë këtë e kam pranuar prej kohësh. Sigurisht, lajmi për kërcënimin ishte tronditës, por më shumë e ka prekur familjen time. Ata e kanë përjetuar më rëndë se unë”, u shpreh Musabelliu.
