Kreu i Partia Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se pensionet, minimumi jetik dhe rrogat e ulëta do të jenë prioritetet kryesore të demokratëve nëse vijnë në pushtet.

Deklaratat u bënë gjatë një tryeze diskutimi të organizuar nga Departamenti i Ekonomisë dhe Financës në selinë e PD-së, me temë “Pensionistët, të nëpërkëmburit”.

Berisha kritikoi qeverinë për mungesë mbështetjeje ndaj pensionistëve dhe familjeve në nevojë, ndërsa solli si shembull ndihmën financiare që, sipas tij, po jep Greqia për përballimin e rritjes së çmimeve.

Sipas tij, Partia Demokratike do të vendosë një minimum jetik, i cili pritet të rillogaritet, ndërsa theksoi se asnjë shqiptar nuk duhet të jetojë në varfëri ekstreme.

“Shqiptarët që mbeten në varfëri ekstreme nuk do të ketë. Është varfëri ekstreme kur një qytetar nuk ka 5 euro në ditë”, u shpreh Berisha.

Ai premtoi gjithashtu rritje të pensioneve dhe shpërndarje më të drejtë të të ardhurave, duke argumentuar se Shqipëria ka burime të mëdha natyrore dhe pasuri që duhet të reflektohen në mirëqenien e qytetarëve.

Berisha deklaroi se qëllimi i demokratëve është që shqiptarët të ndihen se jetojnë në një vend të pasur dhe të jenë përfituesit kryesorë të këtyre pasurive.