Ministrja Elisa Spiropali, gjatë një seance dëgjimore në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, deklaroi se mazhoranca nuk do të komentojë çështje konkrete në hetim dhe nuk do të sulmojë organet e drejtësisë.
“Për asnjë rast, nuk do na gjeni neve, dhe për asnjë arsye të sulmojmë prokurorë apo gjykatës, të komentojmë mbi çështje të posaçme, apo mbi çështje të drejtësisë.
Kjo është një gjë që na ka ndarë që kur kemi ndërmarrë reformën në drejtësi, qe kur kemi vendosur që pushteti politik duhet t’i heqë kthetrat nga pushteti i drejtësisë dhe kur kemi marrë vendimin historik si shumicë për ta luftuar pandëshkueshmërinë kudo ku ajo shfaqet, në të gjitha nivelet.
Dhe sot mund të themi me plot gojën që në Shqipëri nuk ka të paprekshëm. Dhe ky është ndryshimi i madh mes nesh dhe nje politike të vjetër që vazhdon që me akuza penale në drejtim të kundërshtarëve të bëjë politikën e ditës. Ne nuk e bëjmë këtë. Secili mban përgjegjësi para ligjit, të gjithë, secili mban përgjegjësi para fytyrës se vet dhe para elektoratit të vetë”, theksoi ajo.
Ndërkohë duke iu përgjigjur deputetit Agron Shehaj për hetimet e zyrtarëve nga SPAK, Spiropali tha se pyetjeve për çështje të caktuara që janë nën hetim nga Prokuroria e Tiranës apo Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, nuk është “ky vendi për t’i diskutuar dhe nuk do dëgjoni prej nesh t’i diskutojmë”.
“Përveç asaj që thuhet e zeza në të bardhë në progres raportin e Komisionit Europian: Që nëse ka një arsye pse sot Shqipëria është vend pararojë në Ballkan sa i takon integrimit, është që ka ndarë mendjen të bëjë një reformë drejtësie e cila edhe pse me kosto të larta politike, se ka shkaktuar kjo reformë edhe braktisjen e kuvendit, edhe braktisjen e zgjedhjeve lokale në disa episode, edhe agravimin e gjuhës politike, por ne jemi te vetëdijshëm që lufta kundër pandëshkueshmërisë, drejtësia dhe lufta kundër korrupsionit janë prioritete aboslute, të cilat nuk mund t’i përcaktoni ju në tavolina, kush është fajtori dhe kush i pafajshëm.
Këto nuk i gjykoni ju, i gjykon gjykata, të cilët i kemi lënë të lirë të bëjnë punët e tyre dhe nuk do gjeni askënd prej nesh t’i komentojë dhe pastaj sa i takon përgjegjësive, ato janë individuale dhe ato që ju i quajtët përgjegjësi politike, të jeni i sigurt që ne i kemi mbajtur përgjithmonë dhe jemi ballëlartë para opinionit publik dhe qytetarëve tanë që na e kane dëshmuar në ndoshta 12 pale zgjedhje”, tha Spiropali./ Top Channel


