Reportazh
Pamjet rrëqethëse në shtëpinë ku u gjetën viktimat
Në shtëpinë e vëllait të Enverit, Flamur Myftaraj, ishin mbledhur sërish dje familjarët e çiftit të masakruar mbrëmjen e së enjtes së javës së kaluar në fshatin e Belishovës të Rrethit të Mallakastrës. Pas përkujtimores së ditës së tretë të zhvilluar në qytetin e Ballshit, tri vajzat e Enverit e të Azbies janë larguar me familjet e tyre, ashtu siç e do zakoni. Ndërsa të tjerët u mblodhën në shtëpinë e Flamurit, duke ngushëlluar e duke i dhënë kurajë njëri-tjetrit për të përballuar dhimbjen. Dje ata kanë mësuar nga mediat arrestimin e autorit të dyshuar të vrasjes së Enverit dhe Azbies. Ndërsa me njëri-tjetrin shprehen se vetëm familja Malkaj nuk duhej ta bënte atë. Disa prej tyre, mes tyre edhe vëllai i Enverit, Tekiu, i cili është edhe kryeplaku i fshatit Belishovë, sqarojnë për gazetën “Shqip” se familja Malkaj prej rreth 10 vitesh kishte marrëdhënie mjaft të mira me familjen e Enverit. Ata ngrenë dyshime se për ekzekutimin e Enverit kanë bashkëpunuar disa persona. Sipas Myftarajve, një djalë 19-vjeçar nuk mund ta vriste Enverin që ishte i fuqishëm.
Gazeta “Shqip” ka siguruar pamje të ambienteve të brendshme të banesës së shkrumbuar të Enver dhe Azbie Myftarajt, ku duket qartë se flakët nuk kanë kursyer asgjë. Në oborrin e dyqanit, rreth një metër larg shkallëve, gjendet ende gjaku i Enverit, i cili dyshohet se është përleshur me autorët para se të ndërronte jetë. Një tufë me lule ndodhet aty pranë. Në oborr të kap syri qenin e shtëpisë që ndihet i vetmuar si dhe shpendët shtëpiakë në kotec. Ndërsa shtëpia është shkrumbuar e shkatërruar e gjitha. Banaku, pas të cilit u gjet Azbia, frigoriferi, tavolinat, karriget, lavatriçja, dollapë e rafte janë kthyer në thëngjij të zinj. Muret janë çarë dhe suvaja ka rënë nga muret dhe tavanet. Gjithçka është shkatërruar. Diku në mes të kuzhinës të zë syri pjatat e thyera të mbledhura grumbull. Ndërsa në mure e dysheme janë ende piketat e vendosura nga policia. Këto pamje tronditëse tregojnë se autorët kanë pasur gjithë kohën dhe kanë qenë të mirëpërgatitur për të fshehur gjurmët e tyre. Është e sigurt se kjo masakër do të mbahet mend gjatë jo vetëm nga familja Myftaraj, por nga gjithë zona përreth.
E ndërsa familja Myftaraj jeton nën dhimbjen e humbjes së dy jetëve, femrat e familjes Malkaj, që kanë mbetur në shtëpi, janë nën mbrojtjen e policisë, me qëllim parandalimin e ndonjë konflikti të mundshëm. Për të shkuar nga banesa e Myftarajve tek ajo e Malkajve duhet të drejtohesh për te shkolla e fshatit. Duhen rreth 500 metra për të mbërritur te shkolla e më pas një rrugicë të çon tek shtëpia e Bajram Malkajt, rreth 70 metra më lart. Te porta e rrethimit të oborrit janë dy punonjës policie të armatosur me kallashnikov. Vigjilenca e tyre është maksimale, pasi sapo na shikojnë tek afrohemi, përgatisin armët. Por, pas prezantimit si gazetar, ndryshojnë qëndrim. Në oborrin e banesës gjendet edhe autovetura tip “Mercedes” me ngjyrë të verdhë, që sipas hetuesve është përdorur për të fshehur gjurmët e krimit. Pasi u kërkojmë që të flasim me pjesëtarët e familjes Malkaj, njëri prej tyre kontakton me gjyshen e Xhevitit dhe nënën e tij brenda në banesë. Por asnjë prej tyre nuk preferon të prononcohet për mediat. Të gjithë pjesëtarët e familjes së Malkajve kanë pasur dijeni për autorësinë e djalit të tyre të vogël, Xhevitit, në këtë ngjarje. Ndërsa e motra e vetme nuk ndodhet në shtëpi, pasi ajo është e martuar. Vëllai i madh i Xhevitit mësohet se jeton në Greqi, ndërsa një tjetër vëlla ka ndërruar jetë për shkak të një sëmundje vite më parë. E.H