Shkrimtari Fatos Lubonja rrëfen historinë e tij si një ish i përndjekur politik në një dokumentar të përgatitur nga regjisori italian, Stefano Grossi, nën titullin “Më i fortë se Ciklopët”.

Me pjesë nga ditari e librat e shkrimtarit dhe intervistën me regjisorin, përmes zërit të Lubonjës tregohen traumat e një populli të tërë gjatë një ndër regjimeve më të egra të Europës.

“Si mbetje në gjendje fëmijënore të lë diktatura. Ke nevojë gjithnjë për një tutor kur je fëmijë. Te shqiptarët, mbetja në gjendje fëmijënore ishte sepse nuk ndihmonte njerëzit që të mendonin me kokën e tyre, por gjithmonë ishte tutori, partia, shoku Enver…’, shprehet Fatos Lubonja.

Nga kujtimet buzë Adriatikut me ëndrrat e ndrydhura, te vizitat në ish-burgun kamp të Spaçit dhe ish-vilën e diktatorit, te emigrimi e tranzicioni… për Lubonjën rrënjët e probleme të sotme i gjejmë të ngulura në histori…

“Në Spaç, unë kam shkuar shpesh. Sigurisht që shkuarja atje është një nevojë, të kthehesh në një vend ku ke shumë kujtime. Te shtëpia e diktatorit ishte hera e parë që shkoja, është shumë e rëndësishme për kujtesën, më vjen keq që e kanë transformuar. Janë vende ku shkoj për të kuptuar më mirë veten time dhe për të reflektuar”, shton më tej Lubonja.

Në dokumentarin kushtuar jetës së tij, shkrimtari që ka bindjen se Shqipëria ende nuk ka guxim të përballet me traumat e së shkuarës, rrëfen si rrallëherë pengjet e jetës…

“Guximi dhe kurajo është kur mendon të kalosh oqeanin dhe e humbet bregun, nuk ka më breg ku të mbështetesh. Por, ai bregu është shumë i rëndësishëm sepse është ajo që të mban, toka, frika… dhe jo të gjithë e kanë pasur kurajon dhe në të rritur në një shoqëri autoritare të dhunës, kemi pasur mundësi minimale, por njeriu duhet të mendojë gjithnjë, ‘a mund të bëj më shumë’”, thekson ai.

“Më të fortë se Ciklopët”, i Stefano Grosit u shfaq premierë në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë, ndërsa synon një audiciencë ndërkombëtare.

“Duke folur dhe me një italian, që është regjisori që më ka regjistruar, kam pasur parasysh një audiencë të huaj”, përfundon Lubonja./ Top Channel