Ervis Bakalli dhe Dorian Kalo kanë dalë ditën e sotme përpara gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë, pasi u kapën në flagrancë në depon e modifikimit të armëve në Yzberisht.
Të dy do të qëndrojnë në burg gjatë kohës së kryerjes së hetimeve, ndërkohë seanca gjyqësore është shoqëruar me debate, pasi prokurorja ka thënë në sallën e gjyqit se “Në telefonin e Dorian Kalos janë gjetur skica e banesës, ku bëhej modifikimi i armëve. Banesën e kishte në përdorim Ervis Bakalli”.
Nga ana e tij, Dorian Kalo ka mohuar të ketë skica të banesës në telefon, ndërsa avokati i tij ka insistuar që Prokuroria t’i vërë në dispozicion këto skica, sepse sipas tij, nuk ekzistojnë. Prokurorja ka thënë që telefoni i Kalos dhe Bakallit janë dërguar për ekspertim, ndërkohë që Bakalli rezulton që ka pasur në përdorim shtëpinë, ku u gjetën armët.
Dorian Kalo ka mohuar se ka lidhje me armët e gjetura dy ditë me parë ndërsa është shprehur se ai bënte piktura morale kur gjente punë, ndërkohë që paradite punonte si berber.