qsut1Shërbimi


Brenda muajit tetor, nëse një pacient do të ketë nevojë të bëjë një koronarografi në shërbimin publik mund ta bëjë atë edhe nëse paraqitet gjatë natës, ndonëse deri më tani, ky ekzaminim në orët e vona, ofrohej vetëm në spitalet private. “Sigurisht ajo çka kemi këtu me pajisjet, me mjekët, me personelin janë një bazë e mirë që ne besojmë që brenda muajit tetor të kemi këtë shërbim 24 orë në shtatë ditë të javës”, tha Ilir Beqaj, ministër i Shëndetësisë. Në shërbimin e hemodinamikës është shtuar një pajisje e re e angiografisë që monitoron enët e gjakut që furnizojnë zemrën, çka pritet të rrisë edhe më cilësinë e shërbimit mjekësor. Për këtë është shtuar dhe stafi mjekësor i hemodinamikës. “Nga viti 2013, 6-mujori i parë, në vitin 2015, 6-mujorin e parë, është rritur me rreth 50% numri i koronarografive të zhvilluara në qendrën tonë spitalore, në kabinetin e hemodinamikës. Ndërkohë që është 24% më shumë se viti 2014”, tha Ogerta Manstirliu, drejtoresha e QSUT-së. Shefi i shërbimit të kardiologjisë, Artan Goda, theksoi se ky shërbim është shndërruar në qendrën më të madhe në rajon.