Policia e Tiranës ka nisur një operacion masiv për kontrollin e rregullave të qarkullimit rrugor, ku ka arrestuar 6 shoferë dhe ka nisur hetimet për 59 të tjerë. Sipas njoftimit të Policisë Rrugore, drejtuesit e automjeteve janë kapur duke shkelur rregullat e qarkullimit, përfshirë drejtimin e mjetit në gjendje të dehur, një nga shkeljet më të rënda për sigurinë në rrugë.

Gjatë veprimeve të kontrollit, janë ndëshkuar gjithsej 76 shoferë për mosrespektimin e radhës në qarkullim, duke përfshirë raste të kalimit në semafor të kuq dhe parkimi në zona të ndaluara.

Përveç ndëshkimeve për shkelje të rregullave, janë hequr gjithashtu 53 automjete të parkuara gabim, të cilat janë larguar nga rrugët me ndihmën e karrotreceve.

Autoritetet po vazhdojnë monitorimin e situatës dhe bëjnë thirrje për respektimin rigoroz të rregullave të qarkullimit për të siguruar një mjedis më të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor.

Njoftimi i policisë:

Kontrolle dhe monitorim 24/7, në akset e kryeqytetit, me shërbime të shtuara dhe logjistikë bashkëkohore, për të parandaluar aksidentet rrugore dhe për të menaxhuar trafikun.

Për të përmbushur këto qëllime, gjatë javës së fundit, janë evidentuar dhe ndëshkuar një sërë shkeljesh të Kodit Rrugor, për të cilat janë marrë këto masa:

-Për drejtim të mjetit në efektin e alkoolit, janë proceduar penalisht 59 drejtues mjetesh, 6 prej të cilëve janë vënë në pranga, për shkak të rrezikshmërisë së lartë që paraqiti kjo shkelje, për jetën e përdoruesve të rrugës, në 6 rastet specifike. Materialet procedurale për këto raste i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme;

-Për mosrespektim të radhës në qarkullim, janë ndëshkuar 76 drejtues mjetesh. Kjo shkelje krijon rrezik të drejtpërdrejtë për aksidente rrugore dhe shoqëruar me fluksin e lëvizjes, vështirëson qarkullimin normal;

-Janë hequr me karrotrec, 53 automjete të parkuara gabim, masë e cila ka liruar hapësira publike dhe ka hequr pengesa për lëvizjen e mjeteve të transportit.

Policia Rrugore apelon sërish, për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin drejtimin e mjetit në efektin e alkoolit dhe të tregojnë kujdes dhe përgjegjshmëri gjatë lëvizjes në rrugë, pasi siguria rrugore është detyrim dhe përgjegjësi e përbashkët.