Kryeministrit Edi Rama ka marrë sot në dorë raportin e progresit të Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian, nga ambasadori Silvio Gonzato.

Rama u shpreh se raporti tregon që vendi ynë mund të mbyllë procesin e anëtarësimit deri në vitin 2027.

“Ky raport thotë shumë gjëra, por mbi të gjitha thotë një gjë: që Shqipëria është në rrugën e duhur për të përmbyllur teknikisht negociatat brenda vitit 2027. Duke thënë këtë, raporti i ka thënë të tëra. Ndërkohë që patjetër, në këtë rrugë të duhur ka sfida në çdo hap. Sfida dhe çështje për t’u adresuar jo vetëm në sasi, por edhe cilësore në çdo hap. Raporti i progresit është një gotë e mbushur përgjysmë: ajo që kemi bërë dhe ajo që do bëjmë, është që duke marrë të gjithë energjinë e nevojshme nga gjysma plot, të fokusohemi tek gjysma bosh, në mënyrë që brenda vitit 2027 ta përmbyllim këtë proces.

Ky është objektivi historik, kjo është ambicia jonë. Jam krenar që askush nuk harron të thotë që Shqipëria është në pararojë të këtij procesi bashkë me Malin e Zi. Më në fund Shqipëria është shembulli pozitiv që u jepet vendeve të tjera që duhen të bëhen pjesë e BE-së. Ky është raporti për mua.

Ne kemi kryer në një kohë rekord hapjen e pesë grupkapitujve. Besoj që do të kryejmë edhe hapjen e grupkapitullit të gjashtë dhe do ta mbyllim vitin me kapitujt e hapur. Ka ardhur si rezultat i faktit që dëshiroj ta sjell në vëmendje: në vitet e poshtërimit, ato vite kur na jepte Komisioni, por na i refuzonte Këshilli; kur Komisioni rekomandonte hapjen e negociatave, e Këshilli nuk arrinte dot t’i hapte, ne kemi qenë duke u përgatitur për ditën kur negociatat do të hapeshin. Grupi ynë negociator ka shkëlqyer sepse nuk ka shkuar në tryezë për të mësuar çfarë do bëjë, po ka qenë i përgatitur gjatë periudhës së poshtërimit. Ne i dimë mirë detyrat dhe jemi i vetmi vend në rajon që përdorim AI në këtë proces. Falë Diellës ne bëjmë përshtatjen e trupit ligjor të BE-së me trupin ligjor të Shqipërisë.

Dua të falënderoj nga zemra dy ministret tona, krye-negociatoren dhe zv-kryenegociatoren, dy gra për shkak të të cilave jemi të qetë në këtë proces,  si dhe të gjithë negociatorët, që janë krenari kombëtare për ne. Shpresoj që këtë urim ta marrin siç duhet të gjithë ata që nuk e duan këtë qeverinë, por që sot duhet të ndihen më mirë, sepse sa më pranë të jemi me BE-në, aq më shumë do të ketë përkujdesje për ta. Ndihuni mirë që të gjithë, qofshi mbështetës, qofshi kundërshtarët, sepse kjo qeveri ka bërë detyrat si për mbështetësit, si për kundërshtarët. Mbështetës dhe kundërshtarë të qeverisë jemi në kohë të ndryshme sipas qeverive. Kjo e jona nuk shkon pa sjellë BE-në në Shqipëri dhe pa e bërë Shqipërinë pjesë të BE-së”, tha Rama ndër të tjera.