Analiza e Ministrisë së Brendshme: Disa policë në shërbim, nën efektin e drogave. U ulën vrasjet
Mariglen Mullai
Më shumë se 10 për qind e punonjësve të Policisë së Shtetit janë prekur nga ndëshkimet përgjatë vitit që lamë pas, pasi kanë abuzuar me detyrën apo janë përfshirë në çështje korrupsioni. Mes rreth 900 policëve të ndëshkuar me masë disiplinore, janë vërejtur raste kur ata janë paraqitur në shërbim nën efektin e lëndëve narkotike. Ndërkaq, është shënuar ulje e numrit të vrasjeve dhe rritje e drogës së asgjësuar, si dhe shtim të bllokimeve të aseteve kriminale. Risi e punës së policisë mbetet ajo e përfshirjes në aksionet e prishjeve të ndërtimeve pa leje dhe kundër vjedhësve të energjisë elektrike. Në 2014-n u kapën 2422 persona në kërkim, nga 2042 që u kapën në 2013-n, pse 18.6 për qind më tepër. Ndërkaq, 19 milionë euro asete kriminale janë sekuestruar.
Policët e ndëshkuar
Më konkretisht, në analizën njëvjeçare të Ministrisë së Brendshme, e prezantuar dje nga ministri Saimir Tahiri, vihej re shifra prej 1219 policësh të ndëshkuar në 2014-n, ku 322 punonjës janë proceduar penalisht për korrupsion dhe abuzim me detyrën, ndërsa 897 punonjës policie janë ndëshkuar me masë disiplinore për veprime të pahijshme, moszbatimin e urdhrave, përdorimin e paligjshëm ose të paarsyeshëm të forcës, paraqitjen në shërbim nën efektet e alkoolit ose lëndëve narkotike etj. Ndërkaq, ka pasur 803 ankesa ndaj punonjësve të policisë nga qytetarët dhe 2901 telefonata kanë ardhur nga qytetarët në numrin pa pagesë 08009090.
Krimet e Rënda
Gjatë vitit 2014, policia sekuestroi 1261 armë zjarri, ose 47.1 për qind më shumë se vitin e kaluar, si dhe 341 mijë e 324 fishekë të llojeve të ndryshme, ose 76 për qind më shumë. Ndërkaq, janë sekuestruar 3848 kallëpe lëndë plasëse, 122 kg lëndë eksplozive C4,
13633 kapsolla detonatore dhe 836 granata luftarake. Në vitin 2014, janë asgjësuar 2214 parcela të kultivuara me kanabis sativa, 530 mijë e 177 bimë kanabis sativa e 101,7 tonë marijuanë nga 19.5 tonë që ishin në viti 2013. Ndërkaq, u kapën 71.64 kg heroinë përgjatë 2014-s, nga 42.85 që ishin sekuestruar në 2013-n, teksa është bllokuar sasia prej 10.3 kg kokainë, nga 16 që ishin kapur në 2013-n. Ministria sqaron se në periudhën 16 shtator–31 dhjetor 2013 janë sekuestruar 11,9 kg kokainë. Në raportin njëvjeçar thuhet se në vitin 2014 u regjistruan 10,4 për qind më pak vrasje. Në periudhën 16 shtator–31 dhjetor 2013, numri i vrasjeve u ul me 41 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2012-s. Nga ana tjetër, Krimet e Rënda kundër pronës janë ulur me 36 për qind dhe ka pasur 60 për qind më pak vjedhje me armë. Më tej, janë shënuar 67 për qind më pak raste të vjedhjes me pasojë vdekjen, si dhe 16 për qind më pak shkatërrim të pronës me eksploziv.
Korrupsion e trafik
Gjatë vitit të kaluar, sipas raportit të Ministrisë së Brendshme, janë evidentuar për korrupsion dhe krime të zyrtarëve në detyrë 1116 autorë të dyshuar. Ndërkaq, janë regjistruar 241 vepra penale më shumë ose 56.3 për qind më tepër, me 470 autorë të dyshuar më shumë dhe 150 të arrestuar më tepër ose 220.6 për qind më shumë. Për herë të parë ka pasur 10 të dënuar për trafikim të personave (5 deri në 25 vite burg), 40 persona më shumë të arrestuar dhe ka pasur 120 vepra penale të trafikimit dhe shfrytëzimit të prostitucionit të evidentuara.
Energjia e ndërtimet
Në vitin 2014 u shënuan 88 mijë e 337 kontrolle të grupeve të përbashkëta Polici – OSHEE dhe pati 46 mijë e 381 raste të ndërprerjes së lidhjeve të paligjshme. Më tej, 708 persona janë arrestuar në flagrancë (564 pronarë biznesesh dhe rreth 50 punonjës të OSHEE-së të arrestuar në flagrancë). Ndërkaq, 1572 ndërtime pa leje të evidentuara, si dhe 1572 persona janë proceduar penalisht.
[callout]Detaje
Konflikte dhe aksidente
48 mijë e 511 konflikte janë trajtuar
192 mijë e 088 telefonata nga publiku
157 aksidente rrugore më pak
37 të vrarë më pak nga aksidentet rrugore
119 persona të plagosur rëndë më pak në aksidente
2581 të arrestuar për drejtim mjeti pa patentë apo nën efektin e pijeve alkoolike
615 711 masa administrative të marra[/callout]
Tahiri: Po rihetojmë “Xhindin” dhe “21 janarin”, “Santo” në prokurori
Mes pyetjeve të gazetarëve, u përmend ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për të cilën ministri Tahiri tha se “nuk mund të jap datë, por do të jetë shumë shpejt gati”. Ndërkaq, për vrasjen e bankierit Santo, ministri theksoi se “duhet të pyesni prokurorinë, për këtë gjë. Unë nuk besoj se është kaq e thjeshtë të gjeni përgjigje në lidhje me ecurinë e hetimeve për sa kohë janë hetime dhe mbeten të tilla”. Në lidhje me disa ngjarje të vjetra, ministri u përgjigj se “ajo që kemi bërë ne është që në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, nuk kemi lënë asnjë dosje të vetme që ka fjetur atje për shkak dështimi apo për shkak paaftësie apo akoma më keq, dimensioni kriminal nga ata që kanë drejtuar Policinë e Shtetit. Ne jemi shumë të vendosur të bëjmë ç‘është e mundur që këto ngjarje të rihapen dhe të rihetohen ku nuk ka hetime që vazhdojnë, përfshirë ngjarjen që përmendet ju të deputetit Xhindi, “21 janarin”, kryetarin e komunës dhe shumë të tjera si këto”.