I ftuar ditën e sotme në emisionin “Top Talk”, Top Channel ka qenë eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço.

Teksa ishin duke diskutuar për megaoperacionin e policisë, i cili çoi në pranga më shumë se 200 persona të cilët shpërndanin drogë në disa qytete të vendit.

Karamuço në fjalën e tij ka bërë thirrje që Policia e Shtetit duhet të bëjë një punë më serioze, teksa në lupë duhet të jenë bandat e vërteta kriminale, ndërkohë që shembull solli qytetin e Vlorës.

Eksperti ka treguar se në qytetin e Vlorës janë 6 organizata që lëvizin me mjete me xhama të zinj nën hundën e policisë.

“Në Vlorë ka 6 organizata kriminale shumë të rrezikshme ndërkohë që shkohet dhe arrestohet vetëm një organizatë me 2-3 persona. Ata lëvizin në mes të ditës me makina me xhama të zinj nën hundën e policisë. Kush i shikon ata?”– tha eksperti Karamuço.

Kujtojmë se pak ditë më parë njëzet e tre grupe kriminale u shkatërruan në një megaoperacion të zhvilluar në 5 qarqe të ndryshme të vendit, Tiranë, Durrës, Korçë, Vlorë dhe Elbasan kundër shpërndarësve të drogës në shkolla dhe lokale.

Vetëm në kryeqytet, gjatë aksionit të koduar “Tempull” u firmosën 120 urdhër-arreste ndërsa në total ranë në pranga 233 shpërndarës të lëndëve narkotike. Drejtori i përgjithshëm i Policisë tha figurativisht se ‘ata kishin helmuar tempullin e dijes duke shitur droga të ndryshme për nxënësit e shkollave”