Historia


Nurie Zhuku, nga Klosi, shet tranguj në rrugën Bulqizë-Burrel “Lekët për vajzën invalide”


Hysen Likdisha


Në këto ditë të nxehta vere, syrit të udhëtarëve që lëvizin në aksin rrugor nacional Bulqizë-Burrel, u ka bërë përshtypje një grua e moshuar, që çdo ditë del në rrugë, në përpjekje për të shitur tranguj. Nurie Zhuku, 89 vjeç, nga fshati Fshat i bashkisë Klos, çdo ditë del në rrugën nacionale, ku, para dy lokaleve, në të hyrë të Klosit drejt Burrelit, hap thesin që e mbart në shpinë, duke nxjerrë prej aty trangujt që kërkon t’ua shesë jo vetëm personave që drekojnë në lokale, por edhe kalimtarëve që udhëtojnë në këtë aks rrugor. Për çdo makinë që kalon në rrugë, plaka ngre dorën, në të cilën mban dy tranguj. Pothuajse gjatë gjithë ditës, nga ora 7:00 e mëngjesit deri në orën 19.00, dora e plakës qëndron e ngritur lart, duke mbetur kështu një imazh dhembjeje në memorien e çdo kalimtari, që rastis të udhëtojë në këtë rrugë. 89-vjeçarja Nurie Zhuku, e veshur me të zeza dhe me një rizë të bardhë akull në kokë dhe opinga llastiku të grisura, ashtu siç dhe është e pastër dhe e fisme, të ngjall respekt dhe njëherësh dhembshuri, pasi mosha e saj nuk mund ta përballojë një sakrificë të tillë. Madje situata për të ndërlikohet akoma më tepër gjatë këtyre ditëve të Muajit të Ramazanit, pasi ajo edhe agjëron, ku për 12 orë i duhet të qëndrojë në rrugë në këtë vapë të padurueshme, pa ngrënë dhe pa ujë. “Zori moj nënë më nxjerr për çdo ditë në rrugë. Më duhet të punoj, pasi duhet të kujdesem edhe për vajzën 50 vjeçare, që e kam të sëmurë invalide. Ka 20 vjet që jetoj e vetme me vajzën, të cilën, pasi u sëmur, ma la edhe burri. Vajzën e kisha të martuar në një fshat të komunës Lis. Duke mbajtur ngarkesa të rënda në shpinë, dëmtoi një nerv që i dha goditje në kokë, duke e lënë invalide përjetë. Në të tilla kushte, burri i saj tre fëmijët i mbajti në shtëpi, ndërsa vajzën e sëmurë e solli tek unë”, thotë me lot ndër sy Nuria, ndërsa më pas vazhdon: “Djemtë kanë jetën e tyre me familjet e tyre. Ndërsa prej 20 vitesh u detyrova të rri me vajzën dhe m’u desh të bëj gjithçka për të jetuar. Marr vetëm 48 mijë lekë të vjetër në muaj, të cilat nuk më mjaftojnë as për ilaçet e mia dhe jo më të vajzës së sëmurë. Për këtë vura në dijeni edhe Kryeministrin Berisha, përmes një letre, që të më kompensonte blerjen e barnave për vajzën. Kjo bëri që vlera e recetës mujore të barnave për vajzën të ulet me 70 për qind. Por edhe pse janë ulur, më duhet të paguaj 36 mijë lekë të vjetër. E ku t’i marri nëna lekët, përveçse duke dalë në rrugë që të shes prodhime të kopshtit tim?”. Largohemi duke u ndarë nga plaka e mirë dhe e urtë, që edhe pse në moshë shumë të thyer, halli për mbijetesë e ka detyruar të dalë çdo ditë në rrugë për të shitur prodhime të kopshtit të saj, në këmbim të pak lekëve që ajo mund të fitojë. Së brendshmi ndiejmë jo vetëm keqardhje, por edhe revoltë, kur ndeshim në praktika të përfitimit të KEMP-it nga persona që i kafshojnë qentë dhe nuk përfiton vajza invalide, e mbetur e tillë nga ngarkesat e rënda të mbartura në shpinë, ku fati i keq e ndau nga tre fëmijët e saj, për ta lënë të vetme me nënën 89-vjeçare, pa asnjë lloj përkrahje e ndihme!


 


Rrëfimi


Më duhet të punoj, pasi duhet të kujdesem edhe për vajzën 50- vjeçare, që e kam të sëmurë invalide. Ka 20 vjet që jetoj e vetme me vajzën, të cilën, pasi u sëmur, ma la edhe burri