KF Vllaznia ka reaguar pas tragjedisë së rëndë në fshatin Domën të Postribës, ku humbën jetën një nënë dhe dy fëmijët e saj të mitur si pasojë e zjarrit që përfshiu banesën e tyre.

Përmes një mesazhi publik, klubi shkodran ka shprehur dhimbjen dhe solidaritetin me familjen e viktimave, duke përcjellë ngushëllimet më të sinqerta në këtë moment të rëndë.

“KF Vllaznia Shkodër shpreh dhimbjen e thellë për tragjedinë e rëndë që goditi familjen në Domën e Postribës, ku humbën jetën një nënë dhe dy fëmijët e saj të mitur.

Në këto momente të vështira, i përcjellim ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, të afërmve dhe gjithë komunitetit të Postribës e të Shkodrës. Jemi pranë tyre me mendje dhe zemër, duke lutur që të gjejnë forcën për të përballuar këtë dhimbje të madhe. U prehshin në paqe”, thuhet në reagimin e KF Vllaznia.