Korçë


Policia: Jemi në vështirësi. Vajza nuk pranon ekspertizën



Nëna e 13-vjeçares, e cila denoncoi në Policinë e Korçës shfrytëzimin për prostitucion të vajzës së saj nga njerku, pas arrestimit të këtij të fundit ka reaguar në mënyrë të papritur, duke hequr dorë edhe nga Urdhri i Mbrojtjes që i ka nxjerrë policia dhe gjykata.


Valbona Hyseni, gruaja 35-vjeçare e komunitetit rom, një ditë pasi policia i kishte siguruar Urdhrin e Mbrojtjes pasi pretendonte që bashkëshorti ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike në familje, madje duke e detyruar edhe vajzën e tyre të prostituonte, ka kërkuar që të anulohet Urdhri i Mbrojtjes dhe ka rrëzuar një pjesë të mirë të akuzave për të shoqin.


“Shtetasja Valbona Hyseni, një ditë pas arrestimit të burrit të saj me akuzën e trafikimit të femrave dhe keqtrajtimit të të miturave, i ka deklaruar policisë se nuk dëshiron të jetë me Urdhër Mbrojtjeje dhe madje kërkon që i shoqi të kthehet në shtëpi”, tha një oficer policie i Komisariatit të Korçës nga zyra që ndjek dhunimin e femrave dhe të të miturve.


Sipas tij, policia është vënë në situatë të vështirë, pasi kjo nënë e dy fëmijëve që denoncoi më parë publikisht bashkëshortin për ushtrim dhune fizike dhe psikologjike, duke e akuzuar madje edhe për shfrytëzim të vajzës së saj për prostitucion, ka kërkuar që të mos jetë nën Urdhër Mbrojtjeje.


Qëndrimin kontradiktor të Valbona Hysenit, e cila pretendon se që prej katër muajsh është ankuar në polici për shkak të dhunës dhe abuzimit me fëmijët nga bashkëshorti, Policia e Korçës e shpjegon jo vetëm me gjendjen e vështirë sociale të kësaj familjeje, por edhe me gjendjen mendore jo të qëndrueshme të kësaj gruaje. Policia sqaroi se katër muaj më parë, kur Valbona Hyseni është ankuar për burrin e saj, në prani edhe të punonjësve të Shërbimit Social Shtetëror është verifikuar gjendja e saj dhe pretendimet që ajo ngrinte. Sipas policisë kjo grua herë akuzonte burrin për ushtrim dhune fizike dhe psikologjike dhe abuzime me vajzën, dhe në raste të tjera tërhiqej nga këto pretendime. Për këtë shkak, policia nuk ka vepruar më parë edhe me një Urdhër Mbrojtjeje për Valbona Hysenin, ndërkohë që janë bërë përpjekje për trajtimin e dy fëmijëve të saj nga fondacioni “Kenedi” në qytetin e Korçës.


Zyrtarë të Policisë së Korçës theksuan se dy fëmijët janë marrë nën kujdesin e fondacionit, por nëna e tyre po aq herë sa është ankuar për trajtimin e mëparshëm nga bashkëshorti, aq herë të tjera ka favorizuar edhe vetë nxjerrjen për lypje të fëmijëve. Të njëjtat burime të policisë thanë se familja Hyseni merr edhe ndihmë ekonomike nga bashkia, e megjithatë fëmijët jo vetëm që kanë mbetur pa shkollë, por detyrohen të lypin.


Pas qëndrimit kontradiktor që ka shfaqur gruaja, janë vënë në dyshim edhe akuzat e ngritura ndaj bashkëshortit të saj, Nevruz Hyseni, i cili u arrestua të mërkurën nga Policia e Korçës. Burime pranë grupit hetimor të kësaj ngjarjeje thanë se edhe vajza 13-vjeçare, në prani të një psikologu ka dëshmuar se njerku i saj nuk ka abuzuar seksualisht, por vetëm e ka dhunuar fizikisht, duke e goditur në raste të veçanta. Sipas policisë, adoleshentja nuk ka pranuar të kryejë ekspertimin mjekoligjore për verifikimin e virgjërisë, duke vënë kështu në pikëpyetje denoncimin e nënës, e cila pretendon se vajza është shfrytëzuar si prostitutë nga njerku.


Akuzat për trafik femrash dhe keqtrajtim të të miturve, priten të sqarohen gjatë seancës për vlerësim mase sigurie në Gjykatë të 46-vjeçarit Nevruz Hyseni, i cili më parë është dënuar me 7 vjet burg për shfrytëzim prostitucioni.  – Gëzim Ashimi


 


Gruaja


E mërkurë: Valbona Hyseni akuzoi bashkëshortin Nevruz Hyseni se kishte ushtruar dhunë mbi të dhe fëmijët, duke i detyruar të lypnin dhe të prostituonin


E enjte: Valbona Hyseni kërkoi heqjen e Urdhrit të Mbrojtjes dhe tërhoqi akuzat e rënda. Vajza 13 vjeçe nuk pranoi t’i nënshtrohej ekspertizës mjekoligjore