Avokati i Popullit ka nisur verifikimin e rastit të një gruaje që po vuan dënimin në institucionin penitenciar të grave në Pojskë, ndërsa bashkë me të ndodhet edhe foshnja e saj 4-muajshe.

Përmes Mekanizmit për Parandalimin e Torturës, një grup pune i institucionit ka shkuar këtë të mërkurë në burg për të parë nga afër situatën dhe për të verifikuar rrethanat e rastit.

Bëhet fjalë për Greta Gjocin, e njohur edhe si Greta Pepa, e cila është dënuar me 6 vite e 8 muaj burgim për veprat penale të “mashtrimit kompjuterik”, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, si dhe “pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”.

Më 5 tetor, Apeli i GJKKO-së la në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke e bërë të formës së prerë dënimin ndaj saj.

Pas dërgimit në institucionin e vuajtjes së dënimit në Pojskë, Gjoci ndodhet aty së bashku me foshnjën e saj 4-muajshe.

Avokati i Popullit ka bërë me dije se pas përfundimit të monitorimit do të publikojë gjetjet dhe konstatimet lidhur me situatën.

Verifikimi synon të sqarojë kushtet dhe mënyrën e trajtimit të nënës dhe foshnjës, si dhe respektimin e të drejtave të tyre gjatë qëndrimit në institucionin penitenciar.