Kristina Konomi: E kishin tërhequr zvarrë. Mjekoligjorët: Vdekja e 78-vjeçarit “e papritur”
“Stefani ishte dëmtuar në kokë. Unë e pashë se ishte në profil. Ishte i shtrirë dhe i kishin hequr edhe rrobat e trupit, e kishin lënë të zhveshur. Këmisha ishte atje, e kishin tërhequr zvarrë”. Kështu ka deklaruar për mediat Kristina Konomi, nëna e Franc Konomit dhe bashkëshortja e Stefan Konomit. Ky i fundit u gjet i vdekur në rrethana misterioze mëngjesin e së hënës, në Tiranë, ndërsa Kristina ndodhej në Greqi, tek dy fëmijët. Ajo ka ardhur me urgjencë, pasi i kishte rënë telefonit disa herë dhe askush nuk ia hapte. E moshuara është e bindur se Stefanin e kanë vrarë, duke hedhur aludime edhe tek “hasmit e Francit”, djalit të saj, i cili u ekzekutua në vitin 2010. “E kanë vrarë, jam e bindur me fakte” thotë ajo, ndërsa e pyetur për motivet, ka pohuar se “Nuk e di. Hasmit e Francit qarkullojnë, huliganë ka sa të duash, drogmenë ka. Ata që mbarojnë drogën duan lekë”. Më tej, Kristina ka pohuar se Stefani nuk i përgjigjej në telefon që prej së enjtes së 5 nëntorit, ndërsa thotë se e ka gjetur bashkëshortin e saj të shtrirë në korridorin e apartamentit në afërsi të vendit të quajtur Selvia. “E gjeta të shtrirë në korridor. Në kokë ishte i çarë. Ishte i gjakosur dhe i zhveshur” vijon Kristina, ndërsa pohon se është e gatshme që të japë dëshminë edhe në Policinë e Tiranës. Hetimet për këtë çështje janë marrë në dorë nga Policia e Tiranës, e cila ka marrë edhe raportin paraprak nga Mjekësia Ligjore. Burime pranë morgut i thanë gazetës “Shqip” se në kartelën përcjellëse është shënuar “vdekje e papritur”, çka sipas tyre lë të hapura të gjitha mundësitë për shkakun e vdekjes. Me daljen e përgjigjes së analizave, do të përcaktohet nëse ka pasur apo jo kontakte me persona të tjerë apo objekte të jashtme që mund t’i kenë shkaktuar vdekjen. Momentalisht dyshimet janë për një atak kardiak, por çështja mbetet në hetim dhe nëse rezulton një shkak i tillë, ajo do të arkivohet si vdekje natyrale. Megjithatë, fakti që 78-vjeçari është babai i Franc Konomit, ka alarmuar policinë dhe për këtë çështje janë angazhuar disa punonjës të Komisariatit nr.4. Nga ana tjetër, policia dhe ekspertët e Mjekësisë Ligjore konfirmojnë se në trupin e Konomit nuk ishin gjetur shenja dhune dhe në dhomën e gjumit nuk kishte gjurmë të ndonjë personi tjetër, teksa dyert dhe dritaret ishin të mbyllura. Ajo që është përcaktuar paraprakisht nga Mjekësia Ligjore është fakti që 78-vjeçari ka vdekur prej të paktën 3 ditësh nga momenti kur u gjet pa jetë, teksa fqinjët thonë se nuk e kishin parë në lagje prej 5 ditësh. Policia, me anë të një njoftimi për shtyp, thotë se ai kishte ndërruar jetë që para 6 ditësh (të enjten) dhe se mendohet për shkaqe natyrale. Për shkak të famës që kishte djali i tij në të kaluarën, u mendua se njerëzit që urdhëruan para 5 vitesh vrasjen e të birit, mund të kishin vrarë edhe 78-vjeçarin, por momentalisht versioni më i besueshëm është ai i vdekjes natyrale, për shkak të atakut në zemër. Franc Konomi ishte 40 vjeç kur u ekzekutua më 8 korrik të vitit 2010. Ai bashkë me Naim Zyberin përfliteshin si vrasësit e “Të fortit të rrugës Bardhyl”. Gaz Muça u vra në 1992-shin, pranë “Xhamllëkut” dhe Konomi u akuzua nga miqtë e Muçës si një nga autorët, por prokuroria nuk ngriti ndonjëherë akuzë për të. Pas vrasjes së djalit, 78-vjeçari ishte shprehur se dikush ia kishte futur në kurth të birin dhe kërkonte nga drejtësia arrestimin e vrasësve, të cilët edhe sot janë të panjohur. Me kalimin e kohës, Kristina Konomi, bashkëshortja e 78-vjeçarit shkonte shpesh për të jetuar pranë dy djemve të tjerë që banojnë në Greqi, teksa Stefani jetonte i vetëm në katin e pestë të një pallati, fare pranë shtëpisë së vjetër që ishte banesë private. Prej të paktën 10 ditësh ajo ndodhej në Greqi dhe ditët e fundit i telefononte shpesh të shoqit, por nuk merrte përgjigje. Në këto rrethana ajo niset nga Athina, për të mbërritur në Tiranë në orën 6:00 të mëngjesit të ditës së hënë. E tronditur nga misteri dhe me drojë për gjithçka mund të kishte ndodhur, ajo tenton të hapë derën dhe pasi nuk ia doli, pyeti fqinjët nëse e kishin parë të shoqin. Pasi mori përgjigje se askush nuk e kishte parë 78-vjeçarin, ajo komunikoi me djemtë dhe njëri prej tyre dërgoi çelësin e shtëpisë me autobusin e linjës. Pasi u hap me vështirësi dera (për shkak të gjuhëzës), gruaja dhe policët që ajo kishte lajmëruar e gjetën pa jetë. Ai ndodhej në dhomën e gjumit. Nga ana tjetër, fqinjët e Stefan Konomit, thanë për gazetën se nuk e kishin parë në lagje prej 5 ditësh dhe se ai përpiqej të mos komunikonte shpesh me ta, pasi druhej nga problemet e së kaluarës të të birit. Ata thanë se nuk kishin vënë re ndonjë lëvizje të dyshimtë në lagje kohët e fundit. Dje familjarët prisnin ngushëllime dhe mosarritja në kohë e njërit prej djemve nga Greqia bëri që përcjellja për në banesën e fundit të shtyhej për sot.