Rrëfimi
Remzie Mena kërkon ndihmë: Shpesh i vë të vegjlit në gjumë me barkun bosh
Remzie Mena, nënë e katër fëmijëve, është një grua e cila prej shtatë vjetësh është dhunuar në mënyrë sistematike nga bashkëshorti. Ajo është nga Komuna Rrushbull e Durrësit dhe është strehuar në Elbasan. Me dhimbje në shpirt, 40-vjeçarja tregon momentet e frikshme të bashkëjetesës me ish-burrin. “Kam shtatë vjet që unë dhe fëmijët e mi dhunohemi nga burri. Ai ka kaluar në depresion përpara shumë kohësh është bërë tepër i dhunshëm. E kam duruar këtë situatë për një kohë kaq të gjatë, sepse nuk kisha ku të shkoja për të jetuar dhe nuk kisha ku të përplasesha bashkë me fëmijët e mi. Askush nuk më ofronte ndihmë për të dalë nga kjo situatë, deri sa erdhi çasti që vendosa të largohesha përfundimisht nga banesa ku jetoja. Ka qenë mesi i natës dhe bashkëshorti nisi sërish që të na rrihte mua dhe fëmijët, të cilët kërkonin të më dilnin në mbrojtje. Këtë moment mora policinë në telefon, e cila më solli me eskortë në Elbasan, ku dhe aktualisht po jetoj”, tregon gruaja 40 vjeçe. Nëna e katër fëmijëve shprehet se ajo dhe vogëlushët e saj, përpos dhunës duronin edhe talljen e ambientit shoqëror, për shkak të shenjave që kishin shpesh në trup. Ndonëse i është larguar dhunës fizike, Mena po përballon mjaft sfida, siç është rritja e fëmijëve, mungesa e strehimit dhe papunësia. Nëna e katër fëmijëve u bën apel të gjitha institucioneve shtetërore apo bizneseve private që ta ndihmojnë, për t’i ofruar ndonjë punë të çfarëdoshme. Prej disa vitesh ka punuar si rrobaqepëse, por pranon të punojë çfarëdolloj pune që të jetë, sepse nuk ka mundësi që të ushqejë fëmijët e saj. “Ka pasur raste që fëmijët e mi kanë rënë për të fjetur pa ngrënë bukë, sepse nuk kam pasur asgjë në shtëpi. Ndonëse shoqata ku jam aderuar tani po më ndihmon me se të mundet, kjo nuk është e mjaftueshme”, tregon Mena. Ndonëse shumë OJF kanë bërë mjaft aktivitete sensibilizuese për dhunën e gruas, situata është mjaft e rënduar. Dhuna në familje vijon të mbetet një plagë e rëndë e shoqërisë, e cila shihet ende si një problem individual e që nuk duhet denoncuar.
Situata
Juristja së Forumit të Gruas, Teuta Hoxha, thotë se në katër muaj, Gjykata e Elbasanit ka lëshuar tetë urdhra mbrojtje për gratë e dhunuara