Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas tragjedisë së ndodhur në fshatin Domen të Postribës, në Shkodër, ku një zjarr në një banesë i mori jetën një 24-vjeçareje dhe dy fëmijëve të saj të mitur.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Berisha shprehu ngushëllimet për familjen e viktimave dhe e cilësoi ngjarjen si një tragjedi të rëndë njerëzore. Ai ngriti gjithashtu shqetësime për reagimin e shërbimeve emergjente, duke theksuar se, sipas informacioneve të publikuara, zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje kur banesa ishte përfshirë plotësisht nga flakët.

Sipas Berishës, viktimat janë 24-vjeçarja Bleona Çelaj dhe dy fëmijët e saj, të moshës 3 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë, të cilët ishin kthyer nga Gjermania për të kaluar pushimet në vendlindje.

“Dhimbje e madhe! Indiferenca është ortaku i zjarrit në këtë tragjedi tepër të dhimbshme njerëzore”, shkroi kreu i Partisë Demokratike në reagimin e tij.