Greta Gjoci, e dënuar me 6 vite e 8 muaj burg për përfshirjen në skemën e mashtrimeve përmes Call Center-ave, është transferuar në institucionin penitenciar të Pojskës.
Së bashku me të në ambientet e burgut ndodhet edhe fëmija i saj, një foshnjë vetëm 4 muajshe. Legjislacioni parashikon mundësinë që fëmijët e vegjël të qëndrojnë pranë nënave të dënuara deri në moshën 3-vjeçare, në përputhje me kushtet dhe rregullat e përcaktuara.
Pas transferimit të Gjocit, një grup përfaqësuesish të Avokatit të Popullit ka kryer një verifikim në burgun e Pojskës, me fokus të veçantë te kushtet në të cilat po qëndron foshnja dhe respektimi i të drejtave të saj.
Nga institucioni është bërë e ditur se roli i Avokatit të Popullit në këtë rast lidhet me monitorimin e trajtimit dhe kushteve të qëndrimit brenda institucionit penitenciar.
Vlerësimi përfundimtar për situatën pritet të bëhet publik pasi të përfundojë shqyrtimi i dokumentacionit dhe provave të mbledhura gjatë verifikimit.
