Nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu kërkoi angazhim dhe dialog nga të gjitha palët më qëllim përmbushjen e të gjitha reformave dhe kushteve për integrimin e vendit në familjen e madhe europiane.
“Integrimi europian nuk duhet të jetë fushë beteje politike.Ai duhet të jetë pika ku bashkohemi si komb. Sepse përtej bindjeve tona politike, ne kemi një përgjegjësi ndaj brezit të ri: t’i lëmë Shqipërisë institucione më të forta, drejtësi më të drejtë, ekonomi më konkurruese dhe demokraci më funksionale.”, nënvizoi Spahiu nga foltorja e Kuvendit.
Nënkryetarja e Kuvendit tha se procesi i integrimit europian nuk është më vetëm një aspiratë politike e Shqipërisë, por tani më ai është kthyer në një proces konkret transformimi ekonomik, institucional dhe shoqëror, që prek çdo qytetar dhe çdo sektor të vendit.
“Në këtë kuadër, Shqipëria është angazhuar aktivisht në zbatimin e Planit të Ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, një nga iniciativat më strategjike të Bashkimit Europian për rajonin tonë.”, pohoi nga foltorja e Kuvendit Spahiu ndërsa mbylli fjalën duke theksuar:
“Le ta bëjmë këtë proces një projekt të përbashkët kombëtar, ku çdo qytetar ndjen se është pjesë e ndryshimit. Sepse Shqipëria europiane do të ndërtohet nga një shoqëri që beson tek vlerat europiane, demokracia dhe fuqia e bashkëpunimit.”, tha ajo.