Policia e Lezhës ka arrestuar dy persona të dyshuar për vjedhje, pas një sërë veprimesh hetimore për zbardhjen e disa rasteve të ndodhura gjatë javëve të fundit në qytet.

Në pranga ka rënë 26-vjeçari Elger Uka, banues në Lezhë, i cili ishte shpallur në kërkim dhe rezulton me precedentë penalë për vjedhje. Sipas policisë, ai dyshohet se gjatë muajit korrik 2026 ka vjedhur xhirot ditore në nëntë subjekte të ndryshme tregtare në qytetin e Lezhës.

Po ashtu, është arrestuar edhe 39-vjeçari Aurel Pjetri, banues në Lezhë, i dyshuar për vjedhjen e një tableti iPad dhe të një çante me sende personale nga një automjet i parkuar.

Sipas uniformave blu, Pjetri u kap në flagrancë dhe gjatë arrestimit iu gjet iPad-i i vjedhur, të cilin dyshohet se sapo e kishte marrë pasi ishte riparuar në një servis në Shkodër. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, policia sekuestroi edhe çantën e vjedhur.

Autoritetet bëjnë të ditur se hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë e dy të arrestuarve dhe për të verifikuar nëse ata janë të përfshirë edhe në raste të tjera vjedhjesh.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.