Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar të dhënat mbi situatën e zjarreve në vend, deri në orën 20:00 të kësaj të enjteje. Sipas ministrisë, gjatë ditës janë regjistruar 18 vatra zjarri, nga të cilat 9 mbeten aktive dhe 3 janë nën monitorim. Në operacionet në terren janë angazhuar 383 forca operacionale dhe 24 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 90 efektivë të Forcave të Armatosura, 1 automjet zjarrfikës dhe 4 helikopterë të Forcës Ajrore.

Vatrat kryesore aktive:

  • Gojan–Gjegjan, Pukë – Mbetet vatra më problematike, për shkak të terrenit të thyer dhe erës së fortë. Forcat janë përqendruar në mbrojtjen e banesave, ndërsa është kryer edhe evakuimi i banorëve të zonës. Operacioni është mbështetur nga toka dhe ajri, përfshirë 40 efektivë të FA-së dhe 3 helikopterë.
  • Mal Milot, Kurbin – Vijon ndërhyrja me 3 automjete zjarrfikëse, 1 autobot, 20 efektivë të FA-së dhe 2 helikopterë. Rreziku për banesat është eliminuar, ndërsa forcat vijojnë punën për vënien nën kontroll të vatrës.
  • Mali i Dajtit – Pas një riaktivizimi, operacioni vijon me forca tokësore dhe 1 helikopter të FA-së. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
  • Gjon, Bulqizë – Vatra mbetet aktive dhe po ndiqet nga 5 zjarrfikës, 22 vullnetarë dhe 4 forca bashkiake, me fokus mbrojtjen e banesave pranë zonës së zjarrit.
  • Ballaxhiaj, Memaliaj – Falë ndërhyrjes së forcave operacionale, zjarri është vënë nën kontroll dhe aktualisht ndodhet larg banesave. Në operacion janë angazhuar mjete dhe efektivë zjarrfikës, forca policore dhe vullnetarë.
  • Pozitive paraqitet situata edhe në Qafë Helmes, ku zjarri është fikur nga krahu i Bulqizës dhe izoluar nga krahu i Selishtës, si dhe në Lufaj të Mirditës, ku vatra është vënë nën kontroll. Në të dyja zonat nuk ka rrezik për banesat dhe vijon monitorimi.
  • AKMC vijon koordinimin dhe monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në bashkëpunim me strukturat qendrore dhe vendore të sistemit të Mbrojtjes Civile.