19 persona, mes të cilëve 12 turistë britanikë dhe kinezë, kanë humbur jetën mëngjesin e sotëm kur avioni me të cilin udhëtonin është rrëzuar në periferi të kryeqytetit nepalez.
Avioni i linjës Sita Air, i nisur në orën 06:40 (të orës lokale) u rrëzua vetëm pak minuta pas ngritjes nga aeroporti i Katmandusë. Zyrtarët thonë se ai u rrëzua në bregun e lumit Manohara, në afërsi të aeroportit dhe u përfshi nga flakët.
Policia dhe autoritetet e aviacionit nepalez thanë se në bordin e avionit ndodheshin shtatë britanikë, pesë kinezë dhe shtatë nepalezë, përfshi këtu dhe tre anëtarët nepalezë të ekuipazhit. Paraprakisht dyshohet se për shkak të një defekti teknik, piloti ka tentuar uljen e avionit, por pa sukses. Të gjithë pasagjerët dhe pjesëtarët e bordit kanë humbur jetën.
28 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)