Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të ndërpresë përkohësisht procesin e numërimit të zarfeve të votave të ardhura nga diaspora, duke njoftuar se ai do të vijojë nesër në orën 08:30 të mëngjesit.

Vendimi pason zhvillimet e fundit lidhur me votat e ardhura nga Greqia, të cilat kishin mbetur pezull për disa ditë për shkak të pretendimeve të ngritura nga Partia Demokratike dhe përplasjes politike që pasoi. Sipas kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, nga shqyrtimi i dokumentacionit nuk është konstatuar asnjë parregullsi dhe procesi do të vijojë normalisht.

“Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi vazhdimin dhe përfundimin e numërimit dhe vlerësimit të çdo dokumentacioni zgjedhor të mbërritur jashtë territorit të Shqipërisë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si edhe tabulimin e rezultateve përkatëse për subjektet zgjedhore dhe kandidatët që i janë nënshtruar votimit preferencial për çdo qark”, thuhet në deklaratën zyrtare.

Vendimi përfshin edhe zarfet nga Greqia që ishin administruar por jo të shqyrtuara, sipas vendimit të mëparshëm të KSHZ-së nr. 1121, datë 12.05.2025. Procesi i votimit nga diaspora mbetet një nga elementët më të vëzhguar të këtyre zgjedhjeve dhe një test për administratën zgjedhore shqiptare.