Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me pensionistët në Njësinë nr. 2 në Tiranë.
Ai u ndal te çmimi i naftës dhe u shpreh se nëse kjo gjë prek edhe ushqimet, atëherë pensionistët dhe familjet në nevojë do të jenë të parët që do të vendosen në vëmendje.
“Gjërat që ndodhin jashtë vullnetit tonë, gjërat që nuk i vendosim ne, po duhet t’i përballim, që nga pandemia e tërmeti, tek lufta në Ukrainë dhe tani tek lufta në Lindjen e Mesme, që vjen këtu tek çmimi i naftës, i cili befasisht kërcen jashtë çdo lloj parashikimi dhe që shpresojmë që ai armëpushimi 15 ditor, të çojë në një zgjidhje përfundimtare përpara se sa ai çmimi i naftës, simptoma e parë, të shfaqet pastaj edhe tek çmimet e ushqimeve dhe nëse do shfaqet te çmimet e ushqimeve dhe do të jetë diçka me të cilën ne duhet të përballemi, sigurisht që ne gjëja e parë që do mendojmë jeni ju pensionistët, patjetër, të tjerët vijnë mbrapa.
Ju jeni të parët dhe bashkë me ju edhe familjet sigurisht në nevojë që janë në mbrojtjen ekonomike të qeverisë, për të cilat jemi duke përgatitur dhe një skemë të re të bazuar tek një kartë e shpenzimeve familjare në bazë të shportës, në mënyrë që ato lekë që ata marrin nga taksat e shqiptarëve të shkojnë për familjen, për fëmijët e tyre dhe asnjë lek të mos përfundojë në pijetore apo të mos shkojë në bixhoz dhe kjo është e rëndësishme.
Por ndërkohë duke bërë këtë ato lekë të cilat përmes kartës do të mund të shpenzohen me artikujt bazë në çdo lloj dyqani, në çdo lloj pike ku blihen ushqime të jenë të gjitha me TVSH në mënyrë që ajo TVSH-ja, që sot në shumë raste merret mënjanë nga shitësi të shkojë prapë në buxhet dhe nga ai buxhet të kthehet tek ju, të kthehet tek ata dhe jo të merret dhe t’i fshihet shtetit nga shitësi.
Në ndërkohë që sigurisht ne duhet duam të vazhdojmë të rrisim dhe pagat. Sot pagat në Shqipëri po rriten në mënyrë të vazhdueshme dhe në sektorin privat. Sot në sektorin privat në Shqipëri nuk është më pyetja: Sa do të jap rrogën? Po ku do ta gjej personin e duhur që të më bëjë këtë punë? Dhe sot Shqipëria është më tërheqëse dhe për investimet e huaja siç e thashë, është më tërheqëse edhe për zhvillime të cilat deri dje ishin të paimagjinueshme dhe të gjitha këto edhe pagat e rritura prapë shkojnë në favor të shtetit në disa drejtime dhe një nga ato drejtime është që kthehen përsëri në formën e pagesës së sigurimeve shoqërore tek ju.
Dua të shtoj edhe diçka tjetër se ju intereson juve më shumë sesa këtyre që janë nëpër këto tenxheret e mediave, se jam i bindur që i keni parë edhe ju; “u bllokua anëtarësimi”, “u bllokua integrimi”, “u ndalua përparimi”, por kjo nuk ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi është që negociatat vazhdojnë sipas planit dhe në këtë fazë jemi në kushtet kur kemi hapur, të gjithë kapitujt e negociatave dhe tani jemi duke diskutuar me Komisionin Europian, duke negociuar ato që quhen piketat e ndërmjetme, që janë një sërë piketash të ndërmjetme me të cilat bie dakord me Komisionin Europian, që për x gjëra afatet janë këto, për x gjëra të tjera janë këto, për x gjëra të tjera janë këto dhe këto qëndrojnë si një aneks në procesin e negociatave që do të thotë që fundi i marsit dhe prilli ishin të planifikuara në kalendarin e punës tonë me komisionin si momenti i diskutimit mes nesh dhe vendeve anëtare për piketat e ndërmjetme.
Na ka ardhur sot ne në dorë fati i këtij vendi dhe nuk i ka buzëqeshur Shqipërisë kurrë më parë si sot, fati, sepse kurrë më parë si sot Shqipëria nuk i ka pasur të gjithë të mëdhenjtë me vete. Ne kemi bërë tonën për të arritur këtu, por është dhe interesi i tyre që ne të na marrin brenda dhe ne duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht këtë moment. Shfrytëzimi i këtij momenti është detyrë historike e çdo shqiptari dhe patjetër është misioni i partisë tonë. Ne jemi pjesë e të njëjtës forcë politike dhe nuk kemi pse ta fshehim këtë gjë, përkundrazi”, tha Rama.
