Policia italiane ka arrestuar një 35-vjeçar me origjinë shqiptare, i dyshuar për një seri sulmesh dhe kërcënimesh ndaj një të riu italian dhe babait të tij. Ngjarja ka lidhje me një borxh të pazgjidhur për drogë, që fillimisht ishte vetëm 1,000 euro, por që u kthye në një seri akteve të dhunshme.

Sipas mediave italiane, Elson Leka dyshohet se ka përdorur mjete të ndryshme për të detyruar shlyerjen e borxhit, duke përfshirë kërcënime me armë, dhunë fizike dhe deri tek hedhja e një lënde shpërthyese në banesën e familjes së viktimës. Akti më i rëndë i ndodhi në periferi të Romës, ku Leka, në shoqërinë e disa bashkëpunëtorëve, përballi 23-vjeçarin dhe babain e tij. Gjatë përplasjes, i riu u përpoq të mbrohej, ndërsa babai i tij u rrah rëndë, duke marrë plagë në fytyrë dhe trup.

Ngjarjet filluan që nga gushti i kaluar, kur i arrestuari dyshohet se i shiti kokainë të riut italian. Kur viktima nuk arriti të paguante në kohë, shqiptari nisi një seri sulmesh dhe kërcënimesh për ta detyruar të shlyente borxhin. Hetimet tregojnë se Leka përdori mënyra të ndryshme për të ushtruar presion, duke përfshirë edhe sulme me mjete të forta dhe kërcënime të drejtpërdrejta për jetën e viktimës dhe familjes së tij.

“Nëse nuk paguan, do të  vras”, ishte shprehur shqiptari.

Policia dhe hetuesit arritën të mbledhin prova të mjaftueshme falë pamjeve nga kamerat e sigurisë dhe hetimeve të tjera, duke çuar në ekzekutimin e urdhrit të arrestit dhe shoqërimin e shqiptarit në burgun Rebibbia të Romës. Autoritetet theksojnë se ngjarja është e lidhur me qarqet lokale të trafikut të drogës në bregdetin e Lacios, ku operojnë grupe me pjesëmarrje të individëve shqiptarë, dhe se hetimet po vazhdojnë për të zbuluar nëse i arrestuari ka lidhje me organizata kriminale të strukturuara.