Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas tensioneve në sallën e Kuvendit pak më herët.

Në një postim në “Facebook”, Rama fillimisht falënderon qytetarët që i besuan një mandat të 4 qeverisës dhe 83 mandate deputetësh në Kuvend. Kryeministri shton se ky besim është detyrim, për të vendosur një kufi ndaj opozitës, për sjellje që ai i cilëson i jo kushtetuese.

Për palën kundërshtare, Rama ka një paralajmërim, teksa thotë se në rast se vazhdohet me të njëjtat protesta, çdo debat politik do të hiqet.

“PËR NE, 83 MANDATET E 11 MAJIT, janë ndër të tjera edhe një detyrim për të respektuar pa rezervë zgjedhësit e palës tjetër, duke u dhënë përfaqësuesve të tyre në Kuvend të gjithë hapësirën për të folur.

Por ato janë po ashtu, edhe një detyrim i madh ndaj zgjedhësve tanë, për t’i vënë një kufi të pakalueshëm kujtdo që në sallën e parlamentit përdor duart, këmbët, trupin si argument dhe zhurmën apo sharjet e rrugës si alternativë opozitare. 

Mjafton që të respektohet ai kufi, i cili është kufiri i pakalueshëm etik i çdo parlamenti të Bashkimit Europian, dhe opozita do të ketë e papenguar të gjitha hapësirat e saj në sallën e Kuvendit apo në komisionet parlamentare, ashtu sikundër do të ketë edhe të gjithë vëmendjen tonë. Ndërsa shkelja e atij kufiri, për të vazhduar avazin e traditës anti-demokratike të pengmarrjes së Kuvendit me veprimtari të papërshtatshme fizike apo me piskama ofenduese, do të çojë automatikisht në hapjen e procesit të votimit dhe përfundimin e parakohshëm të seancës.

*Bashkëngjitur fjala e parë e Diellës në Kuvendit e Shqipërisë, e cila u transmetua nga monitorët e sallës ndërkohë që çka nuk arrita dot të them ndër të tjera, ishte se me shumë gjasë, brenda vitit të parë të legjislaturës, Diella do të jetë edhe fizikisht e pranishme në tryezën e qeverisë”– shkruan Rama.