Altin Meçaj, banor i fshatit Vjosë në njësinë administrative Cakran dhe emigrant në Gjermani, ka dalë në një deklaratë për mediat para Prokurorisë së Fierit, duke kërkuar përparim në hetimet për ngjarjen e ndodhur rreth gjashtë muaj më parë, kur ai dhe babai i tij, Ylli Meçaj, pretendojnë se u dhunuan në banesën e tyre nga disa persona, mes të cilëve edhe një efektiv i forcës operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.

Meçaj deklaroi se Prokuroria ende nuk e ka thirrur për të paraqitur dëshmitë dhe provat e reja që, sipas tij, disponon për këtë çështje. Ai pretendoi gjithashtu se një nga personat e përfshirë në ngjarje është rikthyer në detyrë në Policinë e Shtetit.

“Kam fakte të reja. Nëse shteti nuk e zgjidh këtë çështje, atëherë do të detyrohem ta zgjidh vetë me metoda të tjera”, u shpreh ai para gazetarëve.

Në deklaratën e tij, Meçaj bëri edhe një krahasim me ngjarje të rënda të së kaluarës, duke përmendur rastin e Libofshës të vitit 1992, ndërsa u kërkoi institucioneve të drejtësisë të veprojnë sa më shpejt për zbardhjen e ngjarjes.

Deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Prokuroria apo Policia e Shtetit mbi pretendimet e tij. I pyetur nga gazetarët, drejtuesi i Prokurorisë së Fierit, Helion Mustafaj, u shpreh se çështja është nën hetim dhe po trajtohet me përparësi.