Teksa politika shqiptare është përfshirë në debat nëse negociatat me Bashkimin Europian po ecin në drejtimi ne duhur, ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato kërkoi ruajtjen e këtij ritmi të reformave deri në mbylljen e grupkapitujve në fund të vitit 2027.
Gonzato kërkoi kontributin e të gjithëve, qeverisë, opozitës dhe shoqërisë civile, për të ndihmuar procesin, si dhe garantoi se delegacioni europian në Tiranë mbetet i përkushtuar për të dhënë ndihmën që Shqipëria të arrijë objektivat e saj.
“Ndërsa ecin përpara negociatat, veçanërisht në këtë moment kaq kyç në negociata, për të përmbushur objektivin ambicioz që i ka përcaktuar vetes Shqipëria, pra mbyllja e negociatave deri në fund të vitit 2027, Shqipëria duhet të ruajë këtë ritëm reformash, por ky ritëm nuk duhet të vijë në dëm të procesit të miratimit dhe zbatimit të këtyre reformave. Reformat që kanë lidhje me BE-në duhet të jenë të përgatitura mirë, të konsultuara plotësisht dhe të vihen në zbatim tërësisht, për të sjellë përfitime në jetën e qytetarëve.
Kuvendi duhet të nxisë dialogun ndërpartiak. Meqenëse po flasim për këtë dialog, përgëzojmë dialogun që po bëni për ndryshimet në rregullore. Kjo qasje konstruktive është shumë e rëndësishme për legjitimitetin, sepse institucionet demokratike nuk funksionojnë vetëm me mazhorancën në votim, por me procedura të parashikueshme.”- tha Gonazato.
